Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski thotë se institucionet qeveritare po e lënë në baltë vendin në mënyrë drastike, saqë mund të minojnë perspektivat për hapjen e shumëpritur të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ne kemi dekada – jo vite – por dekada keqfunksionimi të institucioneve, përfshirë institucionet politike,” i tha zoti Pendarovski Shërbimit Maqedonas të Zërit të Amerikës në një intervistë ekskluzive në Shkup të enjten.
“Nuk flas këtu vetëm për sistemin gjyqësor,” tha ai, duke iu referuar një skandali zhvatjeje që ka tronditur qeverinë si dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale, të krijuar në 2015 për të hetuar krimin e nivelit të lartë në vend.
“Këto institucione jetike nuk po u shërbejnë njerëzve ashtu siç duhet,” tha Presidenti Pendarovski. “Ato nuk e luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelin që duhet ta bëjë një demokraci e pjekur.”
Skandali shtrihet
Muajin e kaluar, kryeprokurorja e posaçme në largim, Katica Janeva, paraqiti papritur dorëheqjen, në klimën e akuzave se ishte implikuar në një skemë për të zhvatur miliona nga një biznesmen i akuzuar në këmbim të një uljeje dënimi. Ajo ka mohuar përfshirjen “në çfarëdo trajte apo forme”.
Zyrtarët e BE-së dhe të SHBA-së kanë kërkuar që Shkupi të bëjë një hetim të plotë dhe transparent të akuzave dhe, nëse është e nevojshme të ndjekë ligjërisht fajtorët.
Por, gjatë disa ditëve të kaluara zhvillimet në skandalin e supozuar të ryshfetit morën përmasa të reja, kur gazeta italiane La Verita publikoi një video ku duket se bëhet fjalë për dhënie e marrje parash mes të dyshuarve – të cilët që të dy thonë se kanë qasje te zonja Janeva – dhe biznesmenit të akuzuar, e që zyra e saj do ta ndiqte penalisht.
Të dyshuarit, të cilët tani janë në paraburgim, i thanë biznesmenit se do të merrte trajtim më të butë nga prokurori përgjegjës për çështjen e tij nëse u jepte atyre para. Ende nuk dihet nëse Janeva kishte ndonjë dijeni për skemën e zhvatjes, por ajo konfirmoi se zëri i dëgjuar në regjistrimin e videos është i saji.
Një mundësi e veçantë
Presidenti Pendarovski e përshkroi skandalin si një turp me përmasa ndërkombëtare, por edhe si një mundësi të veçantë që zyrtarët e qeverisë së Shkupit dhe ligjvënësit të shkojnë përtej grindjeve politike dhe t’i përmbahen zbatimit të ligjit.
“Ne nuk mund ta lejojmë veten të lëmë hapësirë për hamendje,” tha ai duke iu referuar pikëpyetjeve nëse vendi mund ta zgjidhë me shpejtësi çështjen. “Mënyra se si do të reagojmë për skandalin – jo si do të reagojnë individët, por ne si vend – do të përcaktojë vendimin e vendeve anëtare të BE-së këtë vjeshtë për ta pranuar Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në bllok”.
Ai tha gjithashtu se është i skandalizuar që disa nga “aktorët kryesorë në këtë dramë”, siç janë hetuesit, ishin me pushime.
“Kjo nuk është një çështje e zakonshme,” tha ai. “Është sfiduar thelbi i sundimit të ligjit në vend.”
Të martën, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev u kritikua brenda dhe jashtë vendit për përdorimin e një fyerjeje ndaj homoseksualëve ndërsa përpiqej të mbronte qeverinë e tij ndaj skandalit të korrupsionit, i cili ka përfshirë shumë zyrtarë të drejtësisë.
Ai po i referohej pronarit gej të një kanali televiziv, Bojan Jovanovski, që është në qendër të aferës “Zhvatja”.
Zoti Zaev, i cili sapo ishte kthyer nga pushimet, postoi menjëherë në Twitter një ndjesë, që disa thanë se ishte po aq fyese.
Të dy partitë më të mëdha politike të Maqedonisë së Veriut, opozita VMRO-DPMNE dhe Unioni Social Demokrat në pushtet, vazhdojnë të grinden lidhur me hartimin e një ligji për rregullimin e ndjekjes penale, i cili që do të përcaktonte fatin e zyrës së prokurorisë speciale që drejtonte Janeva.
Nëse legjislacioni i ri ratifikohet – një parakusht për bisedimet e pranimit në BE – kjo do të përcaktojë ritmin e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE./VOA