Me rastin e 70-vjetorit të masakrës së Valmirit, dua të shpreh keqardhjen më të thellë për ekzekutimin barbar të 14 mirditorëve, përfaqësues të familjeve të shquara të Mirditës nga regjimi komunist, si një hakmarrje mizore ndaj kësaj krahine, duke përdorur si pretekst vrasjen kriminale dhe të pabesë ndaj njërit prej bijve më të shquar dhe më të dashur të Mirditës, Bardhok Bibës.
Gjyqi farsë dhe ekzekutimet publike, së bashku me vuajtjet pambarim të mbi 300 familjeve mirditore që u internuan, jo vetëm që nuk mund t’i a lehtësonin dhimbjen mirditorëve për vrasjen e pabesë të njeriut që hapi dhjetra shkolla për t’u dhënë dritë fëmijëve të Mirditës, por as mund të ndihmonte shpirtin e Bardhok Bibës të prehej më i qetë, i cili në pak vite organizoi një fushatë të jashtëzakonshme për faljen e qindra gjaqeve, duke e nisur me faljen e gjakut të njerëzve më të afërt të familjes së tij gjatë luftës.
Regjimi komunist e instrumentalizoi vrasjen e Bardhok Bibës për t’i përçarë më thellë mirditorët për dekada të tëra, për të goditur të gjitha familjet me tradita patriotike dhe bindje jokomuniste, si dhe për ta bërë këtë krahinë një shembull nënshtrimi nën terror.
Por mirditorët si një popull i mençur dhe në liri s’ mund të përdoren më nga askush kundër njëri-tjetrit.
Nderim martirëve të pafajshëm të masakrës së Valmirit!
Përulje dhe nderim për 300 familjet mirditore që u internuan dhe vuajtën në kampet mizore të komunizmit!
Nderim kujtimit të ndritur të Bardhok Bibës, i cili bëri aq shumë për arsimimin e vocërrakëve të Mirditës dhe emancipimin e krahinës, por dhe që punoi si askush tjetër për të shuajtur plagën e tmerrshme të gjakmarrjes dhe për vëllazërimin e mirditorëve.