Pak ditë më parë ka firmosur për Vllazninë. Mesfushori brazilian Hygor Guimaraes Goncalves pas një eksperience disavjeçare në Portugali dhe së fundi në Liban, tashmë vjen në Shqipëri për të bërë diçka ndryshe.
Bashkë me dy brazilianët e tjerë, sulmuesit Emerson dhe Wenderson, Hygor premton që në lojën e Vllaznisë do të ketë “samba” braziliane dhe madje të tillë edhe në festimet e golave që do të shënojnë.
Mesfushori ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit të cilën mund ta ndiqni më poshtë:
Hygor, sezonin e kaluar keni luajtur në Liban, ndërsa tani tek Vllaznia në Shqipëri. Çfarë janë këto lëvizje për ju?
“Ka ndodhur kështu sepse më pëlqejnë gjithnjë sfidat e reja dhe këtu tek Vllaznia tashmë kemi një projekt të ri.”
Çfarë dini rreth Vllaznisë dhe futbollit shqiptar?
“Për Vllazninë kam mësuar jo pak gjëra këto ditët e fundit dhe tani që kam mbërritur këtu, jam i lumtur me ato që pashë. Shpresoj shumë se ne mund të kemi sukses. Nuk e njoh kampionatin shqiptar, por besoj se është shumë konkurrues.”
Ju luani në mesfushë. Cila ka qenë karriera juaj e mëparshme?
“Unë kam luajtur 4 vjet në Portugali me tre ekipe të ndryshme dhe së fundi në Liban, ndërsa tani jam këtu, në Shqipëri. Pjesa tjetër e karrierës është e gjitha në Brazil ku kam luajtur me ekipe të tre Divizioneve të para.”
Në Shkodër ka shumë tifozë të Brazilit dhe që e dashurojnë futbollin e vendit tuaj. Tashmë që jeni tre futbollistë brazilianë tek Vllaznia, do të ketë pak “samba” në lojën e saj?
“Patjetër që do të ketë futboll brazilian në lojën e Vllaznisë, por nuk do të mungojnë as festimet e sambas sa herë që do shënojmë gola. Për vetë pozicionin që kam unë në fushë, ndoshta festimet do të jenë më të pakta, por kur të shënojnë Emerson dhe Wenderson, padiskutim që do të ketë festime me “samba”.
Ndeshja e parë të shtunën. Dëshironi ta nisni me fitore këtë eksperiencën tuaj tek Vllaznia?
“Padiskutim që do të tentojmë të fitojmë këtë takim, pasi është shumë e rëndësishme ta nisim kampionatin me fitore.”-përfundoi Hygor.