Disa deputetët të opozitës britanike ranë dakord të miratojë një ligj të posaçëm për të bllokuar një Brexit pa marrëveshje. Nuk përjashtohet as mocioni i mosbesimi ndaj qeverisë dhe shtyrja e afatit të daljes përtej 31 tetorit. Kryeministri Boris Johnson ka paralajmëruar se mund ta mbyllë përkohësisht parlamentin me qëllim pengimin e përpjekjeve të opozitës.
Deputetët e opozitës britanike ranë dakord të bllokojnë daljen e vendit nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje, duke miratuar një ligj të posaçëm në parlament. Mbledhja e deputetëve të opozitës me qëllim hartimin e planit për të penguar një largim pa marrëveshje u thirr nga kreu i laburistëve Jeremy Corbyn.
Një deklaratë e përbashkët pas takimit nuk jep hollësi mbi mënyrën apo kohën kur mund të kalojë ligji, por deputetja e të gjelbërve, Caroline Lucas, tha se kjo ishte mënyra më e mirë për të ndaluar një kryeministër që kërkon të bëjë karrierë duke e nxjerrë vendin pa marrëveshje.
Deklarata thekson gjithashtu se një prej mundësive mbi tryezë është edhe mocioni i mosbesimit për të rrëzuar qeverinë. Britania e Madhe duhet të dalë zyrtarisht nga Bashkimi Europian më 31 tetor dhe kryeministri Boris Johnson ka premtuar se do ta realizojë këtë.
Zonja Lucas tha se hartimi i një ligji “është mënyra më e mirë për të siguruar zgjatjen e afatit të Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës dhe anulimin e 31 tetorit”.
Nëse mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë ka sukses, kreu i opozitës Jeremy Corbyn ka sugjeruar se do të merrte përsipër rolin e kryeministrit të përkohshëm.
Përpara takimit, Corbyn shkroi në gazetën “The Independent Daily” se “partia e Laburistëve do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ndaluar Brexit-in e bankierëve, ‘pa marrëveshje”, ndërsa thekson se Britania e Madhe do të detyrohej të kërkonte mbështetje nga korporatat e fuqishme.
“Kaosi dhe pasiguria e shkaktuar nga një Brexit “pa marrëveshje’’ është një minierë e mundshme ari për spekulatorët që vënë bast kundër stërlinës”, shkroi ai.
Më herët, kryeministri Boris Johnson ka paralajmëruar se mund ta mbyllë përkohësisht parlamentin me qëllim pengimin e përpjekjeve të opozitës. Ndërkohë, nga Bashkimi Europian konfirmohet se edhe në rast të një Brexit pa marrëveshje, Londra do të duhet të paguajë faturën e divorcit.