Një gardh që u ndante pronat dyshohet u bë shkak për vëllavrasje në Xibër të Klosit. Një konflikt për pronën është kthyer në tragjedi me tre viktima në familjen Dakuci në fshatin Xibër të bashkisë Klos.
Sherri ka nisur mes dy vëllezërve, Kujtim e Sali Dakuci, dhe shkak është bërë një gardh ndarës në pronat e tyre, ku më pas Saliu 55-vjeçar ka marrë armën tip pistoletë dhe ka qëlluar mbi vëllanë, Kujtimin 52-vjeçar, dhe më pas edhe nipin e tij Flogert Dakucin, rreth 19 vjeç, duke i marrë jetën.
Në momentin e sherrit pranë ka qenë edhe 19-vjeçari, Flogert Dakuci , djali i viktimës Kujtim Dakuci, i cili sapo ka parë xhaxhanë dhe babanë në konflikt e sipër ka ndërhyrë për t’i ndarë, por plumbat e kanë kapur edhe atë. Fatkeqësisht edhe Flogert Dakuci ka gjetur vdekjen nga plumbat e pistoletës që përdori xhaxhai i tij 55-vjeçar, Sali Dakuci.
Flogerti ishte djali i vetëm i familjes dhe kjo është një dramë edhe më e madhe për familjarët. Gjithçka ka ndodhur në oborrin e shtëpisë, ndërsa Flogerti vetëm për 10 ditë do të festonte ditëlindjen e tij të 20-të.
I riu sipas burimeve ndërrroi jetë rrugës për në spitalin e Bulqizës, që nga fshati malor mban gati një orë rrugë.
55-vjeçari i dha përmasat e tragjedisë krimit, duke u vetëvrarë me të njëjtën armë pistoletë që dyshohet që e mbante pa leje.
Policia dhe prokuroria e Dibrës, thonë se ende janë duke hetuar për të zbardhur dinamikën e konfliktit mes tre burrave të familjes Dakuci dhe motivin e masakrës.
Me tre viktima nga një familje, kjo është një prej krimeve me bilancin më të rëndë të kohëve të fundit jo vetëm në qarkun e Dibrës.