Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i pranishëm sot në mbledhjen që mbajti Komisioni i Venecias, ku edhe u bë publik raporti përfundimtar mbi hetimet e nisura nga Kuvendi për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, thotë se, “personalisht e mirëkuptoj gjendjen e vështirë të Presidentit, e cila kuptohet nga era e rëndë e reagimit të tij, pas miratimit te Raportit Përfundimtar pak më parë.
Balla ka veçuar katër pika nga raporti, që sipas tij, mjaftojnë për të thënë se Komisioni i Venecias u shpreh qartë.
Sipas Ballës, Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit, siç njihet Komisioni i Venecias, konkludoi qartazi se:
“Presidenti në detyrë Ilir Meta veproi në mungesë të bazës ligjore, kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në Kushtetutë dhe në ligjin elektoral”.
“Anulimi i zgjedhjeve dhe më tej shtyrja e tyre cënoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur.
“Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të caktuar të votuesve, nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të fitonin mundësinë të pengonin çdo proces zgjedhor në të ardhmen”.
“Është kompetencë vetëm e Kuvendit dhe më tej vetëm e Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë nëse shkeljet e gjetura të Presidentit janë bazë për shkarkimin e tij nga detyra”