Humbi 8 familjarët, 17-vjeçari Ramë Lala i vetëm i mbijetuar niset në Itali!

0
45
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

17-vjeçari Ramë Lala, ishte i vetmi që i mbijetoi tërmetit të 26 nëntorit, nga familjarët e  tij. Familja me 9 anëtarë ndodheshin në shtëpi në momentin e lëkundjeve të forta.

Gjatë tentativave për të shpëtuar familjarët ditën e martë, ndërtesa 3-katëshe u shemb e gjitha në një sekond.

Por ndonëse shpresat ishin shumë të pakta, po atë ditë grupet e shpëtimit, ia dolën të nxjerrin gjallë 17-vjeçarin, Ramë Lala.

Ai është nisur për Itali, për të marrë një shërbim më të specializuar mjekësor.  Sahajdetja, Amelia,  Griselda, Selvie, Dionisi, Dionisa, Emilio, Marjeta dhe Ilir Lala,  humbën jetën pas tërmetit.

Ndërkohë për ngjarjen tragjike që i ndodhi kësaj familje që humbi 8 anëtarët e saj ka bërë një shkrim edhe media prestigjoze Reuters. Kjo media ka shkruar edhe për mënyrën se si shpëtoi 17-vjeçari i mbijetuar.

Jetën e Ramë Lalës, e ka shpëtuar një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake ka krijuar mjaftë hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin dhe kokën 17-vjeçarit, pas shembjes së banesës katër katëshe nga tërmeti i fuqishëm që la pas të paktën 50 viktima. Blloqet e inerteve të rëna sipër lavatriçes, i kanë bllokuar çdo mundësi dalje Ramë Lalës, por fatmirësisht nuk e kanë shtypur. Ai më pas u nxor gjallë nga grupet e kërkim shpëtimit, por familja e tij nuk arriti të dilte gjallë nga rrënojat e banesës që u shemb nga tërmeti.

Nga familja e 17-vjeçarit nën rrënoja janë gjetur të pajetë Marjeta Lala së bashku me tre fëmijët, Emilio Lalën, 6 vjeç dhe dy binjakët Dionis dhe Dionisa Lala, më pak se 3 vjeç. E ndjera u gjet e përqafuar me të tre fëmijët e saj nën rrënoja të banesës. E pajetë u nxor edhe Amelia Lala 9 vjeçe, e cila është gjetur së bashku me gjyshen, Sahdete Lala, e cila po ashtu është nxjerrë e pajetë.

Po ashtu nga tërmeti ka ndërruar jetë Griselda Lala 22 vjeçe, (motra e Ramë Lalës), ndërkohë mbrëmë gjatë natës u nxor i pajetë Ilir Lala xhaxhai i fëmijëve(i paralizuar).

Ndërkohë babai i binjakëve të ndjerë Albert Lala ka mbërritur nga Italia dhe ka ndjekur operacionin e shpëtim-kërkimit, por për fat të keq asnjë familjarë i tij nuk mbijetoi përveç nipit 17-vjeçar.

Të vdekurit nga familja Lala

Ilir Lala (Ishte i paralizuar prej vitesh)
Marjeta Lala (Nëna e katër fëmijëve)
Emilio Lala 6 vjeç (Djali i Marjeta Lalës)
Dionis dhe Dionisa lala (Binjakët e Marjeta Lalës)
Amelia Lala 9 vjeç (Vajza e Marjeta Lalës)
Griselda Lala 22 vjeç (Motra e Ramë Lalës)
Sadete lala 78 vjeç (gjyshja)

Zjarr Tv Ad