Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ndodhet në Kosovë, ku mori pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Gjatë kësaj vizite, Kreu i Shtetit Shqiptar ka qëndruar edhe në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, në Prishtinë, ku është pritur me nderime të larta nga njësitet ushtarake dhe policore.
Meta, me këtë rast, si shenjë falënderimi për ndihmën dhe mobilizimin ndaj shqiptarëve të prekur nga tërmeti i së martës, ka ndarë edhe dekorata për ekipet kosovare, që ndihmuan nga afër shqiptarët.
Në fjalën e tij, Meta tha se çdo vend i NATO-s do të ishte i kënaqur me atë që ka shfaqur FSK gjatë ditëve të kërkim-shpëtimit në Shqipëri, pas tërmetit të fuqishëm qe goditi vendin.
Ndërkohë, presidenti shqiptar nuk harroi të falënderonte edhe qenin hero të FSK-së, i cili shpëtoi jetë nën rrënojat e Durrësit dhe Thumanës, pas tërmetit.
Por, këtë Meta e bëri me një gjest mjaftë të veçantë, duke u përkulur dhe e puthur në ballë qenin hero. Kujtojmë që tërmeti i një jave më parë la të vdekur 51 persona, derisa afër 1000 të tjerë mbeten të lënduar.