Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për punonjësin e Policisë së Burgjeve, Martin Skendaj.
Tri ditë më parë, 22-vjeçari qëlloi për vdekje në ambientet e Poliklinikës Patos, të dashurin e motrës së tij, Manol Rapajn, dhe kushëririn e këtij të fundit, Elis Kapajn. Seanca e djeshme është zhvilluar nga gjyqtarja Adelina Zarka, me dyer të mbyllura.
Gjatë seancës, prokurori Çlirim Sina ka lexuar veprimet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes, si dhe dëshmitë e familjarëve të autorit dhe personave të tjerë. Nga këto, burimet thanë se Gjykata vendosi ta lërë të riun në burg.
I PANDEHURI
Martin Skendaj, ashtu siç edhe pohoi në Polici, ka pranuar krimin e dyfishtë para trupës gjykuese në Fier. Ai ishte me detyrë gardian burgu në Fier, ndërsa vrau me armën e shërbimit dy kushërinjtë 22 dhe 26 vjeç, Elis Kapajn dhe Manol Rapajn, në ambientet e Poliklinikës së Patosit. Seancën e djeshme, Skendaj ka thënë se i vrau të rinjtë, por nuk mund të fliste më shumë.
“Po, i vrava. Nuk mund të flas më shumë”, është shprehur ai. Në përfundim të seancës, Gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg pa afat”. Ngjarja e rëndë tronditi qytetin Patosit, ndërsa dyshohet se shkak u bë lidhja e dashurisë së motrës së autorit me njërin nga viktimat, Manol Rapajn. Ndërkohë, theksojmë se 22- vjeçari ka dalë nga ambientet e Gjykatës me lot në sy.
KONFLIKTI QË ÇOI NË VRASJE
Konflikti që përfundoi me dy të vdekur, ka nisur për shkak të një historie dashurie. Motra e Martinit ka qenë e dashuruar me viktimën, Manol Rapajn.
Mirëpo, familja e kësaj të fundit nuk ka qenë dakord për lidhjen e saj me fqinjin, ndërsa e kanë martuar në fshatin Panahor të Ballshit. Ndonëse vajza u detyrua të niste një jetë të re, duket se nuk i ka shkëputur kontaktet me Manolin.
Madje, sipas dëshmive të banorëve të fshatit Kuqar, ky i fundit shkonte dhe e takonte në fshatin ku ajo ishte martuar. Kjo i ka rënë në sy bashkëshortit të saj, si dhe familjarëve të tij, të cilët kanë bërë edhe kallëzim në Polici.
Më pas, ajo u divorcua dhe erdhi në Kuqar te prindërit, por ata e lanë të jetonte në një banesë më larg nga ajo e tyre. Edhe pse disi më larg, ajo shkonte dhe e takonte në dhomë natën vonë Manolin. Kjo gjë u vu re nga e ëma e viktimës.
Mëngjesin kur ndodhi ngjarja, dy familjet janë zënë përsëri dhe Martini mësohet t’i ketë thënë të atit, “baba, lëre nuk na i ka fajin komshiu, por motra që i shkon në shtëpi”.
Teksa kanë debatuar e janë qëlluar, Martini ka shkuar të marrë mjekim në poliklinikë. Aty në korridor është ndeshur me Manolin dhe kushëririn e tij nga Kashishti.
Përsëri aty janë konfliktuar fizikisht dhe në këto momente, Martini ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi Manolin duke e lënë të vdekur. Më pas ka qëlluar edhe kushëririn. Kushëriri i tij, Elisi, ka mbetur fillimisht i plagosur, por vdiq në spital. /Panorama
Autori dhe dy viktimat: