Reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda afatit 31 maj, të përcaktuar nga vetë palët politike. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, duke folur pas takimit me kryeopozitarin Basha në selinë blu tha se ky afat është përcaktuar nga vetë aktorët politike dhe jo ambasada amerikane.
Kim tha se opozita ka një detyrë të vështirë përpara, por shtoi se nga takimi me Bashën ndihet e inkurajuar dhe pret të shohë rezultate në vazhdim.
Yuri Kim: Sapo zhvilluam një takim shumë të mirë, isha shumë e kënaqur që pata mundësi të takohem me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Diskutimi ynë ishte i fokusuar për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, veçanërisht folëm për rëndësinë sesi udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritjet e popullit shqiptar sikurse kanë premtuar për të përfunduar reformën zgjedhore deri me 31 maj. Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e SHBA apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm, ky është një afat kohor që e kanë përcaktuar mbi vetën e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi opozita ka një punë shumë të vështirë përpara tyre por ndihem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi për rezultatet.
Nga Basha ambasadorja mori garancinë se PD është e vendosur për të mbyllur këtë reformë brenda 31 majit.
Lulzim Basha: Dua të falenderoj ambasadoren Yuri Kim për reformën zgjedhore. Organizimi i zgjedhjeve të lira është prioritet absolut i PD i opoizitës së bashkuar dhe shqiptarëve. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për ti garantuar shqiptarëve mundësinë që ti drejtohen një orë e më parë kutive të votimit të pandikuar nga bandat kriminale e paraja e korrupsionit qeverinë e tyre. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do të bëjmë gjithçka që brenda 31 majit, një afat që ne ia kemi kërkuar kësaj maxhornce reforma të ketë mbaruar në mënyrë që kjo krizë e thellë kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë me votën e tyre. Shqipëria të ecë përpara dhe të mos mbahet peng i të shkuarës por të hapë rrugën e integrimit të BE-së.