Me rastin e 18-vjetorit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka hedhur idenë për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës deklaron se nuk e kundërshton idenë e kryeministrit shqiptar por ka një sqarim se pse BDI-ja këtë propozim e bën pikërisht tani.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të ASH-së, BDI-ja ka pasur mundësi ta realizojë këtë gjë në të gjithë zgjedhjet e kaluara kur ka qenë, por se tani situata ka ndryshuar.
“Sot, z. Ziadin Sela me rejting është përpara Ali Ahmetit. Do të dalin së shpejti (anketat) edhe për partitë politike, e shihni pse e lansojnë idenë e kryeministrit shqiptar për të cilën absolutisht ASH-ja nuk është kundër. Por, e parashtrojmë pyetjen pse gjashtë mandatet e kaluara asnjëherë nuk e kanë bërë këtë punë.”-tha Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët.
Kujtojmë se ishte pikërisht BDI-ja ajo që nuk përkrahi kandidatin shqiptar për President shteti, për të cilin arritën ujdi partitë shqiptare opozitare.
Në rezultatet e Qendrës për Hulumtime të Mendimit Publik pranë Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) realizuar gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti, e që u publikuar ditë më parë, theksohet se lideri i Socialdemokratëve ka besimin më të lartë tek qytetarët edhe atë me 8 për qind, përderisa lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski me 7 për qind.
Ndërkohë në mesin e shqiptarëve Ali Ahmeti lider I Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët janë barazuar me 2 për qind.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhej të mbaheshin në prill, por të njëjtat u anuluan për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Partitë politike nuk kanë arritur ujdi rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve.