Agjencia britanike “BBC” ka siguruar të dhëna që tregojnë se Irani mund ta ketë manipuluar shifrën reale të viktimave me kovidin e ri. Sipas informatorëve anonimë brenda qeverisë, mbi 42 mijë njerëz humbën jetën nga janari deri në muajin korrik, tri herë më shumë se ç’raportohet.
Koronavirusi në Iran mund të ketë vrarë trefish më shumë persona sesa raportohet zyrtarisht nga autoritetet.
Një investigim i shërbimit persian të rrjetit “BBC” zbuloi në fundjavë se numri real i viktimave nga kovidi-19 më 20 korrik arriti në 42 mijë bazuar në statistikat e qeverisë, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë raportoi vetëm 14,405 jetë të humbura përgjatë së njëjtës periudhë.
Të dhënat i janë raportuar agjencisë britanike nga një burim anonim i qeverisë, dhe përmbajë hollësira si numrin e shtrimeve në spital, emrat e pacientëve, moshën e tyre, gjininë, simptomat, kohëzgjatjen e shërbimit spitalor dhe sëmundjet dytësore.
Sipas informatorit të fshehtë, qëllimi i tij është të hedhë dritë mbi të vërtetën dhe të ndalë lojërat politike në lidhje me pandeminë.
Në një reagim për mediet, dikasteri iranian për shëndetësinë mohoi të dielën pretendimet e agjencisë “BBC” dhe shërbimeve të tjera të huaja, duke theksuar se për raportimet e rasteve dhe vdekjeve nga kovidi-19 aplikohet sugjerimet e marra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Po të kishin ndër mend t’i fshehim përmasat e pandemisë si shumë vende të tjera të botës, përfshirë Evropën, atëherë do të kishim vonesa në raportime ose do e mbulonim valën e dytë të infeksionit siç po e bëjnë disa shtete për qëllime politike dhe ekonomike. Sigurisht që luhatje do të ketë, por kështu ndodh edhe në Evropë edhe SHBA,” njoftoi ministrja e shëndetësisë.
Irani tani po përjeton një shpërthim të koronavirusit që pas lehtësimit të masave antikovid në muajin maj, të aplikuara rreptësisht me rastin e festës së Sulltan Novruzit dy muaj më herët.
Në vend mësohet se viktima e parë prej koronavirusit ndërroi jetë më 22 janar por autoritetet nuk e raportuan rastin deri 1 muaj më pas, kur shifra e viktimave kishte kaluar 50.
Aktualisht në Iran numëron rreth 310 mijë të prekur nga kovidi i ri, kur shtetet fqinje si Afganistani njofton për vetëm 36 mijë të infektuar, Iraku 130 mijë dhe Arabia Saudite 280 mijë bartës të infeksionit vdekjeprurës.