Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres paralajmëroi të martën se bota po përballet me një katastrofë gjeneratash për shkak të mbylljes së shkollave.
Ai tha se rikthimi i nxënësve në klasa të sigurta duhet të jetë një prioritet kryesor.
Për shkak të pandemisë, miliona fëmijë kanë mbetur pa mësim. Kreu i OKB tha se nga kjo situatë janë prekur të paktën 1 miliard nxënës në 160 vende.
“Ne jemi përballë një katastrofe gjeneratash, e cila mund të shkatërrojë potencialin njerëzor dhe do të minojë dekada të tëra progres,” tha Guterres, duke theksuar se kjo situatë do të thellojë pabarazitë.
“Pasi transmetimet lokale të Covid-19 të vendosen nën kontroll, rikthimi i nxënësve në shkollë në mënyrën sa më të sigurt të mundshme duhet të jetë prioriteti kryesor,” tha ai.
“Konsultimi me prindërit, mësuesit, kujdestarët dhe të rinjtë duhet të jetë themelor”.