Kryeministri Rama dje, në mbledhjen në PS me drejtuesit politikë të qarqeve, që do të drejtojnë fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, pohoi, atë për të cilën akuzohet nga opozita: Që ka vënë shtetin në shërbim të fushatës elektorale të “Rilindjes” Socialiste.
Shteti në shërbim të “Rilindjes”
Së pari, drejtuesit politikë të qarqeve të fushatës elektorale të “Rilindjes” Socialiste janë ministra. Kryeministri Rama de fakto, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, me Kushtetutën, e ka filluar fushatën elektorale 7 muaj nga data e zgjedhjeve. Së dyti, kryeministri Rama ka ngarkuar me detyrën e drejtuesve politikë të fushatës elektorale të “Rilindjes” Socialiste nëpër qarqe ministrat e qeverisë, që do të thotë, që minsitrat tashmë nuk do të kryejnë më punën shtetërore, ose do të punojnë online, ndërkohë që kohën më të madhe do ta harxhojnë me fushatën elektorale të “Rilindjes” Socialiste. Këta ministra në shërbim të fushatës elektorale të “Rilindjes” do të venë edhe bazën materiale të shtetit, si makinën e punës së tyre, shoferin, karburantin, policët që i ruajnë, dietat e shërbimit të tyre, si drejtues politikë të fushatës elektorale, etj, për të cilat, Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta e ndalojnë rreptësisht. Do të ndërhyjë gjë, KQZ-ja dhe prokuroria për shpërdorimin dhe abuzimin me detyrën shtetërore në shërbim të partisë?
Kërcënimet
Sipas burimeve të mirëinformuara të gazetës “Telegraf”, kryeministri Rama u është drejtuar drejtuesve polititikë të qarqeve, që të sjellin listën e të gjithë atyre drejtorëve që nuk punojnë, që nuk kanë performancë në fushatën elektorale dhe do të shkarkohen menjëherë, Siç është denoncuar nga opozita, drejtorë të pushtetit vendor dhe qëndror, por edhe të bizneseve që janë në varësi të qeverisë, po shpërndajnë formularë, ku detyrojnë të gjithë punonjësit e tyre, të firmosin të gjitha të dhënat e tyre dhe të pjesëtarëve të familjeve të tyre dhe të deklarojnë që votat do t’ja japin partisë-shtet. Madje, drejtorët i detyrojnë punonjësit e tyre që të gjejnë mbi 50 veta nga lagjia, nga fshati, etj, që deklarojnë se edhe këta do votojnë partinë- shtet. Burime pohuan se pasi drejtuesit politik, kanë dorëzuar analizën e tyre mbi problematikat e qytetarëve dhe performancën e shërbimeve nga drejtuesit e institucioneve, Rama u ka kërkuar që të evidentojnë çdo drejtor që nuk i ka ofruar shërbimin e tyre qytetarëve. Mësohet se kreu i PS-së ka porositur drejtuesit e qarqeve që duhet të bëjnë një rishikim të çdo drejtuesi të institucioneve publike që ka dështuar në punën e tyre. Kryeministri, mësohet t’u ketë thënë që nuk do të lejohet më arroganca e këtyre personave ndaj qytetarëve. “Ata drejtues institucionesh që nuk kanë performancë të mirë, duhet të zëvendësohen”, -mësohet të ketë thënë Rama.
Dako iku, vjen Ardian Çela
Në mbledhje mori pjesë dhe Ardian Çela, i cili është ngarkuar nga Rama për të ndjekur organizimin e fushatës së PS-së në Qarkun e Durrësit, i cili ka paraqitur gjatë mbledhjes dhe problematikat që ka qyteti bregdetar. Kjo është mbledhja e dytë për ditën e djeshme, pasi paradite u zhvillua dhe një mbledhje tjetër, ku pjesë e saj ishin dhe përfaqësuesit e qarqeve së bashku me grupin parlamentar.