Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka zhvilluar sot një takim me ish-Presidentin Alfred Moisiu. Përmes një mesazhi në “Facebook”, Lleshaj shkruan vendi “ka nevojë edhe për autoritete morale, për burra dhe gra të cilëve u zë vend fjala dhe u ndiqet shembulli, jo për arsye të ligjit, por për arsye të moralit”.
Mesazhi i Lleshajt:
NJË TAKIM ME PRESIDENTIN MOISIU
Sot e fillova vitin e ri me nje takim mjaft mbresëlënës me Presidentin Alfred Moisu. Diskutuam për shumë çështje të rëndësishme që lidhen me përkrahjen e të rinjve në shërbim të zhvillimit të vendit, për nevojën e promovimit të vlerave profesionale dhe atdhetare në krye të institucioneve shtetërore si dhe për tema të tjera.
Vendi ynë i ka të gjitha autoritetet e nevojshme shtetërore. Madje, për shkak të qarkullimit të shpeshtë, ka me shumicë të tillë. Por këto nuk mjaftojnë kurrësesi për mbarëvajtjen dhe orientimin e një vendi dhe të një shoqërie.
Vendi dhe shoqëria kanë nevojë edhe për autoritete morale, për burra dhe gra të cilëve u zë vend fjala dhe u ndiqet shembulli, jo për arsye të ligjit, por për arsye të moralit.
Presidenti Alfred Moisu është një ndër autoritetet e larta morale të këtij vendi, për arsye të shembullit të treguar dhe standardit të vendosur në ushtrimin me dinjitet të detyrës së kreut të shtetit shqiptar.