Shqipëria po le pas valën e dytë dhe më të ashpër të koronavirusit. Në vlerësimin e specialistëve, pozitiviteti nga infektimet e reja këtë periudhë ka rënë nën 20%, duke zbritur nga kulmi që u shënua në fillim të marsit. Epidemiologu Ilir Alimehmeti rekomandon që edhe ekspertët e Komitetit Teknik të ndjekin një politikë tjetër për rregullat anti-Covid: “Ne vijojmë të kemi vatra, pasi masat i kemi për të gjithë njësoj, ndërkohë që këto masa nuk i prekin të gjithë njësoj. Kështu që, duhet të jemi të qartë në këtë drejtim. Është koha e masave elegante, ka ardhur koha e bisturisë dhe ka ikur koha e sharrës”.
Në lidhje me diskutimet për AstraZeneca, edhe Alimehmeti thotë se tashmë, jo vetëm Agjensia Europiane e Barnave, por edhe Bordi për Sigurinë e Vaksinave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njohur efikasitetin e saj. Ndërsa vaksina ruse Sputnik V, që mbërriti në Shqipëri, sipas Alimehmetit, ka të dhëna të mira dhe po shqyrtohet nga EMA.