Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëhet pjesë e fushatës elektorale të 25 Prillit, duke mbështetur kandidatët e “Vetëvendosjes” që garojnë si të pavarur në Zgjedhjet Parlamentare, në vendin tonë. Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të Lezhës, që më datë 25 Prill të votojnë numrin 13 në listë, kandidatin e Vetëvendosjes, Iliaz Shehu.
Kuti, thotë se Iliazi është njeriu i duhur për të çuar përpara një projekt të mirëfilltë moderniues dhe evropianizues, pasi figurat praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, nuk munden të prodhojnë gjëra të reja.
“Me Iliaz Shehun jam takuar para disa viteve, kur ai jetonte e studionte filozofi në Paris. Sot, ai është ligjërues universitar në Shqipëri. Aktivist i Lëvizjes qysh prej 2010, ai kërkon mbështetjen tuaj si Kandidat i Pavarur për deputet në Qarkun e Lezhës, me numër 13. Synim i VETËVENDOSJE!-s është që të rinjtë si Iliazi t’i kthejë në Atdhe, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë ndryshimin që njerëzit kaq shumë e duan dhe që popullit e shtetit i nevojitet.
Doktorant në Sorbonë, Iliazi është njeriu i duhur për të çuar përpara një projekt të mirëfilltë moderniues dhe evropianizues. Nuk munden më figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, të prodhojnë dot ndonjë gjë të re sot. Lëvizja është në Lezhë për të qëndruar, dhe me punën e Iliaz Shehut, Marin Nikollës, Emanuela Kamshit e shumë të tjerëve që po kontribuojnë pa u lodhur, shpejt Lezha do të jetë qendër e fortë e Lëvizjes.
Qytetarë nga Lezha e Mirdita, nga Laçi e Shëngjini, mos harroni, në 25 prill, në fundin e fletës së votimit, Iliaz Shehun e gjeni si Kandidat të Pavarur me numrin 13. Ai është kandidat KrejtTjetër”, shkruan Kryeministri Albin Kurti.