Kreu i Delegacionit të ODIHR-it për monitorimin e zgjedhjeve të 25 prillit, Urszula Gacek ka falenderuar Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe strukturat e Policisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen që treguan përgjatë procesit zgjedhor.
Në letrën e dërguar nënvizohet fakti se ky bashkëpunim dhe reagim i menjëhershëm i Policisë ka bërë të mundur lehtësimin e punës të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it.
“Në lidhje me veprimtaritë e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it gjatë periudhës 17 mars – 6 maj 2021, dua të shpreh mirënjohjen tonë ndaj Policisë së Shtetit për përkrahjen e dhënë, çka i mundësoi Misionit tonë të operojë me lehtësi.
Gjithashtu falënderoj në mënyrë të veçantë 12 drejtoritë vendore të policisë në qarqet e Shqipërisë, për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe reagimin e menjëhershëm ndaj nevojave të Misionit”, thuhet në letër.