Nga Aurel PLASARI
Shënime nate Kush njeh Shqipërinë nuk ka përse ta ketë të vështirë ta kuptojë Afganistanin. A mund të eksportohet demokracia apo ajo qenka e paeksportueshme? Kjo dilemë është kthyer në vëmendje të inteligjencies perëndimore tani me katastrofën politike ndërkombëtare të radhës që ndodh në Afganistan. Demokracia edhe mund të eksportohet, por pa harruar që ajo u drejtohet njerëzve inteligjentë. Ku nuk ka njerëz inteligjentë, demokracia nuk prodhon rezultate demokratike. Përkundrazi, ajo shndërrohet ose në kaos ose në autoritarizëm. Ja shembulli: shuma marramendëse e shpenzuar nga Perëndimi në Afganistan nuk u destinua as në arsim, as në edukim, por në armatim. Nëse trilioni $ do të ishteshtënë në punë në arsim dhe infrastrukturë, për 20 vjet Afganistani do të ishte bërë tanimë Zvicër. Mirëpo ajo çfarë synohej ishte kontrolli, futja e Iranit në darë mes Afganistanit dhe Irakut. Banorët e Afganistanit? Për shpenzuesit e trilionit $ ata ishin “disa afganë”. Edhe për talebanët e sotëm “mesjetarë” të mos harrohet që ShBA i mbështesnin këta “mesjetarë” në vitet ’70 kundër sovjetikëve. Atëherë ishin të mirë talebanët? Pra: asgjë e re nën këtë diell, përpos zhgënjimit nga shoqëria perëndimore demokratike, e cila të shtyn të mendosh që injoranca po bëhet ngjitëse duke marrë përmasa globale. Dëshmi është politika agresive nëpërmjet së cilës eksperimentohet “eksportimi i demokracisë”, politikë e promovuar nga do liderë të bindur se pushtetin që kanë ndër duar mund ta përdorin ashtu si duan ata mbas prishjes së ekuilibrit ndërkombëtar me rënien e Bllokut komunist. Për fat të keq të shoqërisë njerëzore, nuk ka shenja që pafuqia intelektuale, e shndërruar në fuqi luftarake, të kapërcehet për së shpejti prej liderësh të një brumi tjetër.