Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar nga Policia në qytetin e Durrësit. Në pranga kanë rënë tre persona të armatosur me mitraloz dhe tre pistoleta, të katërta armët me plumb në fole dhe gati për qitje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Misioni”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani;
– Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”. Të dy këta shtetas janë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.
– Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.
Këta shtetas qarkullonin në lagjen nr.15, Durrës, me mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Aldi Mustafa. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, të tre shtetasit kanë tentuar të largohen duke goditur mjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion, por nuk kanë mundur dot pasi janë bllokuar nga mjete dhe shërbime të tjera të Policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Strukturat hetimore të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë intensivisht punën hetimore për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”.