Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa ka deklaruar sërish para trupit gjykues të Gjykatës Speciale se është i pafajshëm për akuzat që e ngarkojnë. Në pyetjen e gjykatëses se a i kupton akuzat të cilat rëndojnë mbi të, ai u përgjigj se “Po e kuptoj por nuk ka asgjë me të vërtetën”.
Gjykatësja e pyeti se a e konfirmon deklaratën e dhënë në muajin tetor ku u deklarua i pafajshëm, kurse Mustafa u përgjigj “Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyrë e Gestapos”.
Ky gjykim është i pari nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.
Më 12 qershor 2020 u konfirmua aktakuza ndaj Salih Mustafës, ndërkaq arrestimi i tij u bë më 24 shtator. Ai ka mohuar aktakuzat.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale.