Dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile dhe grupe të rinjsh nga Lezha dhe Kurbini kanë protestuar ditën e sotme për dëmtimet që janë bërë në Urën e Zogut.
Ky monument kulture rrezikon shëmbjen totale për shkak të gërryerjes, ndaj protestuesit i kanë bërë thirrje qeverisë që të marrë masa për mbrojtjen e kësaj Ure. Së fundmi është fundosur një këmbë e urës, teksa dyshohet se shkak për këtë është bërë shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumit Mat për nxjerrje inertesh.
“Kjo urë ka nevojë të mbrohet jo vetëm nga shteti, por nga vetë ne qytetarët. Duhet ta kuptojmë që kjo urë është e rëndësishme për të gjithë Shqipërinë. Duam t’i kërkojmë sërish shtetit të marrë masat për mbrojtjen e kësaj ure. Ura nuk është vetëm për të kaluar dhe për të bërë foto, por kjo është një urë historike. Kjo është ura që u ndërtua nga një inxhinier shqiptar me materiale të ardhura nga italia. Në kohën kur u ndërtua bëri revolucion. I bëjmë thirrje shtetit që të merren masa për mbrojtjen e kësaj ure”, tha një aktivist për Fax News.