Një javë më parë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka firmosur urdhrin për pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve në auditore. Sipas urdhrit që mban datën 24 Shtator, studentët e pavaksinuar nuk do të futen në auditor.
Po ashtu, pedagogët të cilët janë dhe vetë të pavaksinuar, duhet të paraqesin një herë në javë një tampon negativ në intitucionet ku punojnë. Për studentët që nuk janë të vaksinuar, urdhri thotë se Univeristeti, duhet të marrë masa për mësimin në kushte të tjera.
Dje, këtij urdhri të firmosur një javë më parë, i është bërë një ndryshim në një nga pikat e tij, i publikuar në Fletoren Zyrtare, sipas të cilit thuhet se:
– Studentët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit apo kartën e vaksinimit, për të hyrë në institucionet e arsimit të lartë, duke filluar nga data 11.10.2021.”
Referuar urdhrit, institucionet arsimore duhet të identifikojnë personelin e institucionit arsimor dhe studentët që kanë depozituar Certifikatën e Vaksinimit, apo kartën e vaksinimit dhe të raportojnë pranë Institutit të Shëndetit Publik informacion mujor mbi identifikimin e kryer.
Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në këtë urdhër, bëhet vetëm për rastet që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosaplikimin e vaksinës.