Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi do të mbledhë sot në Tiranë 12 drejtuesit e Policisë në qarqe. Në fokus të këtij takimi pritet të jetë puna e Policisë në përfundim të 100 ditëshit të vendosur si afat nga kryeministri Rama dhe goditja e veprimtarisë kriminale në zonat që ata mbulojnë.
Ky takim i Çuçit me krerët më të lartë të Policisë vjen një ditë pas takimit që ata kanë zhvilluar me drejtorin e ri të Përgjithshëm, Gledis Nano.
Nano ka prezantuar objektivat dhe prioritetet e tij në lidhje me drejtimin e Policisë së Shtetit. Sipas burimeve, pritet që të ketë edhe ndryshime, më së shumti tek ato qytete që janë më problematike në lidhje me rendin dhe kontrollin e territorit.
Takimi i drejtorëve të Policisë në qarqe me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, do të mbahet në orën 15.00, të pasdites së kësaj të marte.