Çfarë ka ndodhur me Lulzim Bashën, i cili deri dje e quante S*PAK si të kapur dhe nën urdhrat e Edi Ramës dhe sot, kërkon që “t’i varë në qafë” vetingun e politikanëve?! Si shpjegohet që në kohën kur Basha shpalli për herë të parë nismën e tij (vjeshtë 2018) për veting të politikanëve, Edi Rama u deklarua i prerë kundër tij, kurse sot është dakord?!
Çfarë ka ndryshuar që atëherë deri sot, që dy kryetarët janë dakordësuar, ndërkohë që siç deklaronte Basha në 22 shtator 2018, “më në fund Rama e pranoi, ai është kundër vetingut në politikë, është kundër pastrimit të politikës nga krimi. Të tjerat janë llogje. Por pyetja mbetet: pse e ka frikë Edi Rama vetingun e politikës?!”.
Pse nuk na e thotë Basha: Përse i ka ikur frika e para 3 viteve nga nisma e tij, Edi Ramës?! Asgjë nuk ka ndodhur, madje kryeministri dhe shpura e politikanëve dhe qeveritarëve në pushtet, janë zhytur edhe më thellë në krim. I vetmi ndryshim ka të bëjë me institucionin, që do të kryejë këtë veting: S*PAK!
Nëse në kohën kur Basha propozonte për herë të parë nismën e tij, institucionet e reja të sapo dala nga Reforma në Drejtësi dhe veçanërisht S*PAK i sapokrijuar, nuk ishin kapur ende prej kryeministrit, sot kemi një situatë krejtësisht tjetër.
Edi Rama i vitit 2018 që refuzonte prerë vetingun e politikanëve, pasi ende nuk kishte garanci se nëse niste ky proces, nuk do të goditej ai vetë i pari, bashkë ministrat dhe deputetët, me të cilët kontrollon skemën gjigante të korrupsionit dhe pastrimit të parave të krimit. Njëkohësisht, ndërkombëtarët dhe veçanërisht amerikanët i kanë lënë Edi Ramës mbi tavolinë, një listë të gjatë me emra deputetësh e ish-deputetësh, ministrash e ish-ministrash, të cilët duhet të dalin përfundimisht nga skena politike, për të lënë të lirë drejtësinë të veprojë.
Skema e “vetingut” që do të bëhet nga S*PAK i jep Ramës mundësinë që nëpërmjet një selektimi preferencial, të kënaqë ndërkombëtarët nga njëra anë, por edhe të mbrojë ata që dinë shumë për atë vetë. Nga ana tjetër pas 3 viteve, kemi edhe një ndryshim të situatës për Lulzim Bashën. Pas nisjes së “Foltores” ai ka nisur një valë të re spastrimesh në parti dhe në grupin parlamentar, por me mënyrën se si po i bën pa pyetur forume e statut, sa vjen dhe po del më keq se një “dikatoruc”. Ndaj një mekanizëm “ligjor e kushtetues” si ky, do të ishte një mënyrë efikase dhe pa aksese, për të përmbyllur valën finale të spastrimeve që ai ka nisur që në vitin 2017. Syri.tv