Ismet Haxhia ka vetëm pak muaj që ka dalë nga burgu (20.01.2016) ku kalojë çerek shekulli, i dënuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e Azem Hajdarit, akuzën të cilin ai nuk e pranon sot e kësaj dite. Burri me trup të gjatë, të kërcyer, nuk e ka fort të lehtë të flas për 15 vitet e fundit të jetës së tij, madje, as nuk do t’i kujtojë. Kur u burgos la pas gruan dhe dy fëmijët, ndërsa tani që ka dalë, ka fatin të gëzojë vetëm një djalë, i vogli, në moshën 22 vjeçare, pësoi infarkt dhe vdiq.
“Nuk e përballoj dot këtë që më ndodhi mua. E vuajti shumë dhe më iku në moshën më të bukur të jetës, në kulmin e rinisë” –thotë Ismeti në këtë bisedë për Dita-n. Këto muaj në liri i kalon mes qytetit të Bajram Currit, ku ka prindërit në moshë të thyer dhe Tiranës, ku ka djalin dhe familjen e tij. “Po kaloj shumë kohë me nënën dhe babën, u kam munguar shumë këto vite dhe ndjej detyrim të kaloj ditë me ta. Nuk e kanë patur të lehtë, të përballojnë trazirat familjare të 20 viteve të fundit, për të cilat nuk kanë asnjë faj. Më e pakta që mund të bëj është që t’u qëndroj pranë”- shprehet Ismeti.
I rritur në një familje të madhe (9 fëmijë, 6 vëllezër, 3 motra), sot shumica janë shpërndarë, dhe asgjë nuk është më si dikur.
Të rritur në Tropojë, në një qytet i cili në fillim të viteve ’90 është njohur për trazira, jeta e vëllezërve Haxhia, mori një rrugë që as ata vetë nuk e kishin menduar.
Në këtë intervistë me Ismet Haxhinë, nuk pretendojmë të zbardhim ngjarjet e Tropojës, as vrasjen e Azem Hajdarit, e as probleme të tjera që kanë të bëjnë më këtë mbiemër dhe me emra të njohur të politikës (kur nuk e ka bërë as drejtësia?!).
Kemi folur me 62 -vjeçarin Haxhia, dhe sjellim sot rrëfimin e tij të parë pas lënies së qelisë.
-Z.Ismet, keni qëndruar 15 vite në burg, dhe nuk janë pak për një njeri, tani që keni fituar lirinë si ndjeheni?
Si një i persekutuar nga politika dhe e ashtuquajtura drejtësi, si pjella më e keqe e saj. Nuk ka gjë më të rëndë se të bëhesh pjesë e një dyshimi të papërligjur, fryt i shpirtligësisë dhe intrigave politike, ndjesi që do më shoqërojë deri në fund të jetës sime.
-Asnjëherë nuk e keni pranuar akuzën…Nga kush mendoni si i keni “dhuratë” këto vite burg?
Unë nuk mund të pranoja një krim kaq të shëmtuar, siç është vrasja, duke mos qenë përgjegjës për këtë. Këtë dhuratë e kam nga Fatos Klosi dhe Arben Rakipi dhe nga tutorët e tyre politikë, si shërbëtorë të përulur deri në thyerje kurrizi e servilizëm të pështirosur. Shteti mund t’u bëjë ç’të dojë qytetarëve të vet dhe dhurata që na bënë ishte më e pakta që ata na kishin inskenuar.
-Pse, çfarë mund të bënin tjetër?
Mund të na vrisnin, ashtu siç e kishin planifikuar, jo vetëm një herë. Madje na kishin planifikuar në një rast të na likuidonin të tre vëllezërve njëherësh dhe që miqtë na informuan. Fati ynë është se ne kemi shumë miq e ngado ku mund të na inskenohej e keqja. Faleminderit prej tyre!
-Z.Ismet, le të kthehemi pak pas në kohë. Si ka qenë fëmijëria juaj dhe familja së cilës i përkisni?
Unë e parafytyroj veten, vëllezërit e motrat e mia të lumtur, të rritur në një familje të ngrohtë, punëtore dhe të ndershme, e cila kurrë nuk ka qenë një problem, por zgjidhje e nevojave të atyre që kërkonin ndihmën e prindërve të mi, e tonën më pas. Në këtë sens, ne kemi qenë gjithmonë të respektuar në komunitetin të cilit i përkisnim. U rrita, u shkollova dhe ndoqa studimet për Inxhinieri Minierash.
-Pse zgjodhët inxhinierinë dhe a e keni ushtruar profesionin?
Zgjedhja ime e kësaj dege kishte të bënte me zgjedhjen time të shkollës së mesme, që ishte teknikumi i gjeologji-minierave, për arsye se unë mund të punoja pranë familjes. Në atë kohë nuk mund të ndërroje profilin e studimeve, kur kishe mbaruar një shkollë profesionale. Për hir të së vërtetës, mua m’u krijua mundësia të zgjidhja njërën nga 20 bursat që erdhën në shkollën e fshatit tim. Kjo mundësi m’u krijua nga një grua e mrekullueshme, që e kishim drejtoreshë, Leonora Kaleshi, e cila më donte pasi mësoja shumë mirë dhe isha djalë i shkathët. Drejtoresha më tha: “Mendohu edhe një herë”, por mua kështu m’u fiksua. Kam mbaruar si inxhinier më 1978 dhe e kam ushtruar këtë profesion në detyra të ndryshme në minierën e Kam-Tropojës, deri në fund të vitit 1992.
-Një inxhinier që më pas përfundoi në krye të policisë rrugore në Tropojë. Çfarë ndodhi?
Pas vitit 1992 kam ngelur pa punë për shkak të bindjeve politike të majta. Kam punuar në bashki ca kohë. Pas ngjarjeve të 1997-ës më ofruan punë në Këshillin e Rrethit dhe gjatë kësaj kohe, në mbledhjen e partive politike më propozojnë për shef të komisariatit të policisë atje, detyrë të cilën e pranova vetëm për faktin se në atë mbledhje të vetmit që më kishin dalë kundra ishte PS, anëtar i kryesisë të së cilës isha. Dhe kjo ndodhte se kryetari i PS donte të caktonte në atë detyrë të vëllanë, ndërsa sekretari i PS donte të caktonte kunatin e tij. Raporte interesash.
-Si ndodhi pastaj, u emërove shef?
Po, u emërova shef komisariati në fillim të majit 1997 nga ministri Belul Çelo dhe sekretari Lush Përpali, si marrëveshje e qeverisë së stabilitetit për emërtesat. Më pas, menjëherë pasi ministri e njofton vëllanë tim Izetin, pasi vëllai konsultohet me mua, anulohet ky emërim dhe emërohet një oficer i gardës të cilin e përzë për pak orë Fatmir Haklaj, së bashku me rreth 80 forca speciale të RENEA-s. Pastaj, kuptohet, me dakordësinë e F.Haklaj, emërohet Besnik Sokoli, i cili e mbushi komisariatin me policë të marrë nga bandat duke e kthyer komisariatin në një bandë me uniformë.
Më pas, rreth 10 ditë, më ofrojnë detyrën e shefit të policisë rrugore, të cilën e pranova me kusht që mbas një viti të më transferojnë prej atje. Në fakt u transferova pas dy vitesh. Atje kam punuar në një përballje me banditë ordinerë, njëlloj si në kohë lufte.
-Tropoja ka qenë vend i vështirë për t’u menaxhuar në atë kohë. Si ja keni dalë?
Ishte si në kohë lufte të vërtetë. Njerëzit, veçanërisht të rinjtë kishin dalë jashtë kontrollit. Në qytet qarkullonin njerëz me makina në të cilat mbanin lloj-lloj armësh e municionesh. Në përgjithësi më janë bindur, edhe për shkak njohjeje, ndërsa me të pabindurit kam përdorur me forcë ligjin. Mbaj mend që kisha vendosur të largoja makinat nga shëtitorja e qytetit dhe brenda 4 orëve të një pasditeje qershori kam bllokuar e gjobitur me nga 5000 lekë të reja 50 makina të të pabindurve.
-Z.Haxhia, çfarë ju thotë emri Sali Berisha?
Ai është një tropojan i zgjuar, politikan i fortë i cili gjithmonë i kthen situatat politike sipas asaj që atij i pëlqen, që del i fituar në përballjet politike, për shkak të mjeteve të pakufizuara, edhe pse bien në kundërshtim me moralin shoqëror. Një njeri që e do pushtetin më shumë se çdo gjë tjetër dhe që për fat të keq, kur e humbet atë, humbet edhe shpirtin; e tani së fundi ka humbur, veç cilësive të malësorit, edhe një pjesë të mendjes, aq sa jo rrallë paraqitet qesharak në ato që deklaron para publikut. Unë nuk kam patur ndonjëherë kontakt me të, por dy vëllezërit e mi i kanë shërbyer me ndershmëri për shumë vite, sidomos Izeti, të cilin më pas e përdori për t’i darovitur, pikërisht atë, autor i pabesë i së cilës, ishte vetë ai.
-Çfarë ju lidhi me Berishën ju vëllezërve, Haxhia?
Qenia tropojan i Berishës i motivoi vëllezërit e mi, sidomos Izetin t’i qëndronte pranë atij. Për Izetin ka qenë motiv dhe urrejtja për regjimin e kaluar, të cilin në praninë time, familjes dhe të shoqërisë së ngushtë e shfaqte pa rezerva.
-Pse i besoi vëllai juaj kaq shumë e për kaq shumë kohë Sali Berishës dhe çfarë mendoni ju për të?
Izeti e ka deklaruar edhe vetë se për shumë kohë Sali Berishën e ka patur idhull. Ai nuk duronte edhe kur unë i shprehja ndonjë pakënaqësi për ato që ai bënte. “Ti je komunist”, më thoshte dhe për rreth 4 vite nuk më ka folur, vetëm se unë isha i pozicionuar majtas, me bindje në fakt, e jo për interesa. Izeti ka vepruar shpesh dhunshëm kundrejt atyre që shanin Berishën. Një herë te kafe “Europa” dikush thotë: “Ja shoqëruesi i atij legenit”. Ai kthehet dhe rreh më shumë se gjysmën e klientëve të ndodhur aty.
Po kështu ka ndodhur tek bar kafe “Viena” më 1997, kur pasi dikush thotë: “Ja bodigardi i atij krimineli”, ai bën të njëjtën gjë. Prishja e vëllezërve të mi me Berishën, siç edhe ata e kanë shprehur, erdhi pasi ata nuk kanë pranuar të zbatojnë urdhrat kriminale të tij, siç është kundërshtia e Isamedinit për të sulmuar Vlorën, apo kundërshtia e Izetit për t’u bërë pjesë e porosive të tij kriminale, të cilat tashmë i ka bërë publike.
-Ky njeri, i cili nuk u është ndarë gjithë këto vite, siç edhe vetë e deklaron, pse e ka gjithë këtë mllef ndaj jush? Çfarë i keni bërë ju atij, apo në çfarë interesa e keni prekur?
E theksova, thjesht në mosbindjen e vëllezërve të mi për të zbatuar porositë dhe urdhrat e tij kriminale. Ne s’i kemi bërë kurrë të keqe atij, veç faktit që vëllezërit e mi i kanë mbrojtur jetën, veçanërisht në 13-14 mars, pa të cilët nuk do të kishte patur mundësi të akuzonte e të shpifte për ne e për kë t’i dalë para në rrugën e tij të interesave të pakufizuara. Në lidhje me atë se në çfarë interesash e kemi prekur, ua deklaroj me bindje se vëllezërit e mi nuk kanë qëndruar pranë Berishës për interesa dhe në këtë kontekst, nuk ka patur asnjë mundësi pështjellimi interesash. Izet Haxhia iku nga PD-ja pa asnjë dyshkë në xhep. Po ju jap një shembull të vogël. Në kohën që rrinte në B.Curri, në vitin ’98-’99, ai rrinte te një shoku i tij, pronar i ish-turizmit, ku flinte dhe ushqehej. Në një ditë të mesit të 1998-ës e njoftojnë se do i vinte vjehrri për ta takuar. Lekë nuk kishte. Unë i pata dhënë 100.000 lekë të vjetra të cilat i kishte harxhuar për dy ditë. Atij i kishin falur një pistoletë të cilën e shet për të respektuar vjehrrin, pasi nuk kishte asnjë lek. Dhe në këtë gjendje ishte pikërisht ai, të cilit i kishin ofruar 100 mijë marka në Vlorë nga trafikantë droge, vetëm që ai të hante një drekë me ta e që më pas ta përdornin emrin e tij për punët e tyre të pista dhe që Izeti e ka refuzuar me neveri.
-Megjithatë, Izeti ka rreth një vit e gjysmë që është kthyer në një personazh mediatik. Në optikën tuaj, çfarë ka ndodhur me të, pse kaq i vonuar me akuzat e tij?
Në vitin 2000 Fatos Klosi kërkoi ta takonte Izetin, me ndihmën time dhe ta dispononte kundër Berishës, pikërisht këtë që po bën sot. Atëherë e refuzuam kërkesën e Klosit. E refuzuam edhe në kohën që ishim në proces gjyqësor, në këmbim të lirisë tonë, për të cilën na mbanin peng. Në fillimet e nismës së tij unë nëpërmjet telefonit i thashë të hiqte dorë nga kjo punë, pasi nuk duam të na shohë dikush shtrembër. Ai nuk u bind pasi ishte shumë i prekur, sepse dikush nga Tirana e kishte vënë në dijeni që Berisha në një mjedis me miq të tij, njëri prej të cilëve ishte edhe mik i Izetit, kishte thënë se “Azemin nuk e kam nxjerrë unë në pritë, por Izet Haxhia”. Këtu fillon zanafilla e shpërthimit të tij të vonuar. Se përse ndihet në siklet Berisha e përpiqet të bindë të tjerët me të pavërteta, nuk është e vështirë ta kuptosh dhe as ta besosh. (Vijon nesër)…
Intervistoi Entela RESULI– Botuar sot në DITA
Burimi : / Javanews.al