Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi priti ditën e sotme Kreun e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Ambasador Vincenzo Del Monaco.
Me një reagim në Facebook, Kryemadhi është shprehur se LSI mbetet e angazhuar për një reformë më të plotë, për një sistem dhe ligj zgjedhor që mundëson barazinë e votës dhe e kthen pushtetin vërtetë në duart e sovranit.
“Mirëprita me kënaqësi ditën e sotme Kreun e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Ambasador Vincenzo Del Monaco. Duke e falenderuar për rolin pozitiv të misionit për reformat që vendi ka ndërmarrë lidhur me shtetin e së drejtës.
Nënvizova nevojat që Shqipëria ka për përmirësim të vazhdueshëm.
Zgjedhjet e 25 Prillit dëshmuan se politika shqiptare nuk ka dhënë ende një zgjidhje të plotë e afatgjatë për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ne do të mbetemi të angazhuar për një reformë më të plotë, për një sistem dhe ligj zgjedhor që mundëson barazinë e votës dhe e kthen pushtetin vërtetë në duart e sovranit.
Reformat me standarde reale, që rrisin besimin e qytetarëve tek institucionet dhe e ardhmja në Shqipëri, janë edhe rruga e vetme drejt integrimit në Bashkimin Evropian”- shkruan ajo.