Banaliteti i gënjeshtrës në politikën shqiptare

0
57
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA GELANDA SHKURTAJ

GËNJESHTRA DHE POLITIKA

Politika e parë në raport me të vërtetën, që në krye të herës është personifikuar si një grua e “përdalë” duke nënkuptuar metafora kësodore, tradhtinë që politika përdor ndaj së vërtetës. Ky është një postulat i mirëpranuar në të shkuarën, duke ardhur i tillë deri në ditët e sotme, pasi evolucioni i njeriut nga heqja e bishtit te fluturimi në Hënë, është i pandjeshëm në kurbën e evolucionit. Njeriu, duke mos modifikuar dot llojin e përkatësisë, është përpjekur të evoluojë mënyrat se si ka kërkuar ta mbulojë raportin politikë-e vërtetë. Një mënyrë është ajo e modifikimit të politikëbërjes dhe fjalëve, duke pasur një ndërgjegje kritike se gënjeshtra, sado e sofistikuar të paraqitet, në fund, në veshët e një qytetarie të miredukuar, mbetet e pavërtetë. Sigurisht, ky raport i politikës me të vërtetën sot varion nga shkalla e civilitetit të vendeve, i cili kushtëzon fort ballafaqimin e klasave drejtuese me interesin dhe mbështetjen e masave. E gjithë kjo hyrje për të thënë në mënyrë të thukët që, edhe pse njeriu si specie në shkallën Darwiniane të evolucionit mbetet kudo i njëjtë, në disa vende do të ketë fatin e keq të dëgjojë retorikën e gënjeshtrës të servirur nga klasa politike, pa as më të voglën përpjekje për ta sofistikuar, në bashin e ditës në bashin e vendit nga bashibozuket e saj.

Banaliteti i gënjeshtrës në bërjen e politikës në Shqipëri vijon të kalojë çdo cak të logjikës normale e, madje të fyejë edhe injorancën. Gënjeshtra në politikën shqiptare merr ngjyra nga më të larmishmet në sfilatën e saj të përmotshme të arritjeve dhe të premtimeve. Kështu, ajo shpeshherë vishet me reklamë, një herë tjetër vishet me arrogancë, një herë tjetër me kult, diku tjetër me sharm, e diku tjetër akoma me titull shkencor, e tanimë edhe me viktimizim. Por çka ngelet konstante është se banalilteti i gënjeshtrës në politikën shqiptare kulmon në një retorikë të përsëritur po me të njëjtën mënyrë, aspak e shqetësuar se mos kuptohet apo dekonspirohet. Në piramidën e hierarkisë së gënjeshtrës, në majë janë kapërcimet politike që shumë prurje partiake bëjnë majtas-qendër-djathtas, pastaj djathtasmajtas-qendër, duke vijuar kështu me të gjitha kombinimet sipas teorisë së probabilitetit.

Këta që dikur janë akuzuar fyer e ofenduar publikisht, për programe e kulisa politike, tanimë të bashkuar rreth interesit të ri, gënjeshtrën e lënë të rrëshqasë sikur trupat të jenë lyer me dhjamë foke. Sa të rrallë (!), nuk kanë asnjë pendesë e nuk kërkojnë asnjë falje në publik, përkundrazi ky i fundit i fal e përqafon, i pret e i duartroket sikur nuk ka qenë aty në vetë të parë të dëgjojnë e të përdoren si mos më keq, nga po ata! Po ashtu, një vend konkurrues në këtë hierarki të gënjeshtrës zënë premtimet, të cilat bëjnë të besosh se kalimi Tokë-Mars do të mundësohet brenda vitit nga baza hapësinore e Laknas-it, ndofta me të vetmen të vërtetë se mund të jetë më i shpejtë se kalimi i automjeteve në lotin Shqiponja-Laprakë.

Ndërkohë, një tjetër formë, që e ngre gënjeshtrën deri në kult është besimi që vetë politikanët, ndofta duke ushqyer gënjeshtrën kohë pa kohë, ia induktojnë edhe vetes edhe të bindurve të tyre se, ajo çfarë thonë nuk është e gënjeshtërt. Kjo formë e gënjeshtrës që bën të besosh edhe vetë se nuk po gënjen, çon deri në ngazëllim për të mos thënë deri në flijim të masave për liderin dhe të vërtetat e tij të gënjeshtërta. Kjo është një trajtë e re e banalitetit të gënjeshtrës në politikë-bërje në Shqipëri, quhet viktimizëm i gënjeshtrës, ose gënjeshtar viktimë ose viktimë e përgënjeshtruar, ose viktimë e mashtruar etj.

GËNJESHTRA DHE MEDIAT

Gënjeshtra nuk do të pranohej nëse ajo nuk do të dilte nga goja e të besuarve, qofshin ata klasë politike apo qofshin ato media (të shkruara, audiovizive apo sociale). Kjo e fundit u krijua dhe u përdor nga njeriu modern për të informuar masat, paçka formës se si lindi mbi pllaka guri apo druri për të ardhur sot te transmetimi nëpërmjet valëve elektromagnetike, te televizori apo “Facebook”-u. Misioni i saj nisi fisnikërisht për të edukuar masat, nëpërmjet së vërtetës së shenjtë e lakuriqe. Ndërkohë që në kohët moderne, një nga mjetet në absolut drejtpërsëdrejti të përdorura nga klasa politike për të induktuar gënjeshtrën si të vërtetë, është pikërisht media. Bën disi çudi fakti i numrit të mediave, nga ku pyetjes se përse kaq shumë, mund t’i përgjigjet vetëm filozofia e krijimit të tyre që në risi.

Shumë media në Shqipëri lindin pas fuqizimit ekonomik të një biznesmeni, i cili me viston dhe kontrollin e një grupimi politik krijon një mjet të ashtuquajtur “për vetëmbrojtje”. Ajo që kuptohet është se ky mjet materializohet në një televizion, apo gazetë, apo rrjet social, ndërkohë ajo që nuk kuptohet është vetëmbrojtja ndaj kujt, kur dhe ku? Por nënteksti që vjen në ndihmë është më i qartë, duke qenë se vetëmbrojtje do të thotë të përgjigjesh me të njëjtën monedhë, natyrshëm vjen interpretimi se çdo pretendimi të një kundërshtari politik, ajo media do t’i përgjigjet me të njëjtën formë. Kështu, fjala vjen, shpifjes me shpifje, gënjeshtrës me gënjeshtër, falsitetit politik me falsitet politik, e në këtë formë gënjeshtra ulet e qetë në vatrat e shikuesve, pa u lodhur apo munduar për t’u përthithur, por në formën më të bukur ajo ngulitet në mendjet e masave përpara një gote me verë apo një sallate, sipas vaktit.

Termi “vetëmbrojtje” merr edhe ngjyrimin e mbizotëruesit në tregun mediatik, kështu që ka ndodhur shpesh që “gojët e liga” të anatemojnë filan media apo fistek gazetë si gjobëvënëse. Interpretuar më gjerë do të thotë se njëherë që ke një medie në dorë mund të bësh çfarë të duash me gënjeshtrën në dhënien e lajmit, duke e transformuar atë plotësisht apo pjesërisht, duke bërë në këtë mënyrë kërcënimin publik ndaj subjektit, i cili në rastin me të mirë nuk ka shumë alternativa rrugëdalje: ose të pranojë një faj të pabërë e të mbetet i vrarë në sedrën e tij; ose të paguajë median gjobëvënëse për të mbyllur skandalin (paçka nëse i vërtetë ose jo); ose t’i drejtohet Gjykatës me shpresën e madhe se do mund të marrë drejtësi në apogjeun e padrejtësisë. Një tjetër aspekt, aspak për t’u injoruar në lidhje me binomin gënjeshtër-media, lidhet ngushtësisht me profilin personal politik dhe ekonomik të shumë gazetarëve të medias sot. Së pari, duke bërë diferencimin midis moderatorëve dhe gazetarëve, interesi shkon për kategorinë e dytë, ku shumë prej figurave të politikës së sotme kanë nisur karrierën e tyre në mediat e shkruara. Vështirë të besohet se si një gazetar, i cili përtej preferencës personale politike, në ushtrimin e profesionit duhet të jetë po aq neutral sa një mjek në kurim, apo një jurist në gjykim, të përfshihet në karrierën politike duke marrë edhe poste drejtuese, me ardhjen në pushtet të një grupimi politik të caktuar. Afërmendsh shërbesa gazetareske ka marrë si shpërblim katapultimin politik të këtyre gazetarëve. Shërbesa në rastin konkret merret e mirëqenë si një përcjellje e interesit dhe vullnetit të grupit kontrollues, pa filtruar të vërtetën apo gënjeshtrën brenda saj, si edhe të nevojshmen apo jo, si një lajm në interes të publikut.

VULGARITETI DHE INTELEKTUALËT

Zjarr Tv Ad