Vijon monitorimi i qarkullimit rrugor, me makinën inteligjente dhe me radarë, për të parandaluar aksidentet rrugore. Monitorimi ka vijuar prej dy ditësh, edhe në Rrugën e Arbrit.
Gjatë dy ditëve të fundit, në Rrugën e Arbrit dhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën janë pezulluar 30 leje drejtimi, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, 252 drejtues mjetesh, nga këta 141 janë konstatuar në shkelje të dyfishtë apo të trefishtë.
Si rezultat i monitorimit, gjatë dy ditëve të fundit, në rrugën e Arbrit janë konstatuar 11 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi 70 km /h, ku shpejtësia e lejuar është 40 km/h, pasi rruga është akoma në ndërtim.
Këtyre drejtuesve u është pezulluar leja e drejtimit, nga 1 deri në 3 muaj, si dhe janë ndëshkuar edhe me masë administrative nga 7000 deri në 15000 lekë secili.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masa administrative, 178 drejtues mjetesh, për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.