Presidenti i vendit Ilir Meta deklaroi se data e zgjedhjeve të pjesshme lokale do të jetë 6 marsi. Kreu i Shtetit e konfirmoi lajmin gjatë një interviste të dhënë për emisionin Opinion mbrëmjen e sotme.
Meta tha fillimisht se datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në vend mund të jenë 27 shkurti ose më 6 marsi, në varësi të kohës se kur do të bëhet dekretimi, nëse do të bëhet sot apo nesër. Por më tej në intervistë Meta theksoi se data do të jetë 6 marsi.
“Nëse do të shprehem pas emisionit do shpall 27 shkurtin, nëse do dekretoj nesër, atëherë do dekretoj 6 marsin. Une si shenje Dashi anoj nga 6 marsi. Ka një hapësire të caktuar dhe unë jam i disponueshëm për të dhënë afatet ligjore 45 ditë. Por të kalojmë dhe këtë periudhën më të ftohtë të vitit. Së dyti disponimi im është t’i krijojmë mundësi opozitës, apo atyre që nuk janë në qeveri të përgatiten sa më shumë që munden në këtë periudhë“, tha ai.