Gjykata e Tiranës u ka dhënë përgjigje pyetjeve të ngritura nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri lidhur me procedurat e caktimit të gjyqtarit Arjan Aliaj në gjykimin e kreut të policisë, Haki Cako.
Kryetari i kësaj Gjykate, Fatri Islamaj sqaron se kërkesat penale gjatë hetimeve paraprake nuk i nënshtrohen shortit, por gjykohen nga gjyqtari i gatshëm i caktuar me Urdhër të Kryetarit të Gjykatës sipas planifikimit.
Gjykata e Tiranës konfirmon se gjyqtari i planifikuar për të zhvilluar masat e sigurimit për datën 06.06.2016 e ka qenë Adriatik Bocaj, por ai ka kërkuar përjashtimin nga masat e sigurimit për arsye serioze shëndetësore të vëllait të tij, i cili do t’i nënshtrohej një operacioni në kokë. Për këtë arsye Bocaj është zëvendësuar me gjyqtarin Arjan Aliaj.
“Theksojmë se ky zëvendësim i bërë brenda të gjithë kompetencave dhe detyrimeve që ligji i ngarkon Kryetarit të Gjykatës është bërë përpara se të paraqiteshin kërkesat e Prokurorisë për masat e sigurimit për punonjësit e policisë të paraqitura disa orë më vonë.”- thuhet në deklaratën e Gjykatës së Tiranës.
REAGIMI I PLOTE I GJYKATES SE TIRANES
Duke marrë shkak nga pyetjet publike të ngritura nga Ministri Tahiri lidhur me procedurat e caktimit të gjyqtarit Arjan Aliaj në gadishmërinë për të shqyrtuar kërkesat në fazën e hetimeve paraprake, Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë sqaron opininin publik si vijon.
Bazuar në nenin 18 të Ligjit Nr. 9877 datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe Vendimit Nr. 238/1/a datë 24.12.2008 “Për procedurat e ndarjes me short të çështjeve gjyqësore” (neni 1 paragrafi 2) të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkesat penale gjatë hetimeve paraprake nuk i nënshtrohen shortit por gjykohen nga gjyqtari i gatshëm i caktuar me Urdhër të Kryetarit të Gjykatës sipas planifikimit. Edhe masat e sigurimit te dhëna nga gjyqtari A.Aliaj me datë 06.06.2016 ndaj shtetasve H. Çako, A. Duka dhe E. Xhelilaj në aspektin procedurial klasifikohen si kërkesa penale të paraqitura nga Prokuroria gjatë fazës së hetimeve paraprake.
Në kuadër të transparencës së plotë me publikun dhe Institucionet shtetërore sqarojme se në kalendarin e planifikimeve të gjyqtarëve të gatshëm për muajin Qershor 2016 (të përpiluar në datën e 31 Maj 2016) gjyqtari i planifikuar për të zhvilluar masat e sigurimit për datën 06.06.2016 e ka qenë gjyqtari Adriatik Bocaj.
Por në mëngjesin e datës 06.06.2016 ora 08.15 min gjyqtari Adriatik Bocaj ka paraqitur një kërkesë drejtuar Kryetarit të Gjykatës ku kërkonte përjashtimin nga masat e sigurimit për arsye serioze shëndetësore të familjarit të tij. Ky gjyqtar ka venë në dijeni me shkrim Kryetarin e Gjykatës për pamundësinë për të qenë prezent në detyrë për shkak se duhet të ishte prezent në ndërhyrjen kirurgjikale në kokë të vëllait të tij dhe planifikonte që të mos jetë në gjykatë edhe në datat 07 dhe 08 Qershor.
Në këto kushte brenda të gjitha kompetencave dhe detyrimeve ligjore nga Kryetari i Gjykatës janë marrë masat për zëvendësimin e këtij gjyqtari me gjyqtarin Arjan Aliaj me urdhrin Nr. 8406 dt. 06.06.2016 ku arsyet e zëvendësimit janë cituar në këtë urdhër dhe bashkëngjitur ka dhe kërkesën e bërë nga gjyqtari A.Bocaj. Theksojmë se ky zëvendësim i bërë brenda të gjithë kompetencave dhe detyrimeve që ligji i ngarkon Kryetarit të Gjykatës është bërë përpara se të paraqiteshin kërkesat e Prokurorisë për masat e sigurimit për punonjësit e policisë të paraqitura disa orë më vonë.
Kryetari Fatri ISLAMAJ
Burimi : / Javanews.al