Kryeministri Edi Rama u është drejtuar sot qytetarëve për zhvillimet e fundit në vend, për protestat dhe rritjen e çmimeve. Ai bëri me dije shtatë masa që ka marrë qeveria për të përballuar krizën.
Këto masa kanë të bëjnë me indeksimin e pensioneve me 3.6 miliardë lek, mbështetjen për produktet e shportës për 434 mijë përfitues, të cilët do të marrin ën dorë nga 30 mijë lekë të vjetra për tre muaj, dhe mbështetje për biletat e transportit urban dhe inter-urban.
Shtatë masat e marra nga Qeveria për përballimin e krizës:
Ne do derdhim menjëherë 3.6 miliardë lekë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës për 673,542 pensionistëve.
Për 434 mijë përfitues, ne do kompensojmë me lek në dorë rritjen e çmimeve të shportës. Sipas INSTAT, është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar, 25 mijë lekë të vjetra plus. Qeveria do japë 30 mijë lek të vjetra për 3 muaj rresht, si kompensim për rritjen e çmimeve, për: Pensionistët që marrin më pak se gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, vetëm në kuptimin individualisht dhe në çift, persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër. Dhe të gjitha që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.
Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do shkojë në 1.4 miliard lek. Me një shtesë plus prej 5 milionë dollarësh që do derdhet menjëherë.
Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, që asnjë udhëtarë të mos preket nga ndryshimi i çmimit.
Do ta tërheqim dy muaj para, do e sjellim dy muaj para, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës për pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra dhe uljen e taksës për pagat nga 1.5-2 milionë të vjetra.
Do të tërheqim dy muaj para futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
Kemi vendosur të shtojmë 200 milionë dollarë për financimin e mburojës së çmimit të energjisë, që familjet dhe bizneset e vogla të paguajnë energjinë elektrike sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë.