Nga Edi Oga
Partia Demokratike, e ka humbur me kohë busullën e saj ideologjike identitare, pavarësisht retorikave hipokrite elektorale të politikanëve të saj të nivelit të lartë. Edhe më keq akoma i ka ndodhur Partisë Socialiste; qeverisja që ajo prodhon kur është në pushtet, nuk lidhet fare me parimet dhe ideologjinë e saj. Në vend të përkujdesjes për shtresat më të varfra, e majta kontribuon për shtimin e numrit të tyre. (Semi cit. Indro Montanelli).
Partitë politike në Shqipëri, sot udhëhiqen vetëm nga një parim; ai i ushtrimit të pushtetit të shumicës, në funksion të pasurimit proporcional të kontribuesve të partisë, me një skemë të ngjashme si aksionerët e një biznesi.
Që kur ish-lideri historik i Partisë Demokratike u zgjua me përdhunë nga “letargjia”, nëpërmjet shpalljes së tij “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, diskursi politik i partive, kryesisht ai i Partisë Demokratike, duket tërësisht i kushtëzuar nga një term i ri ideologjik, më saktë nga dy të tillë me të njejtën rrënjë por me ngarkesë dramatikisht të kundërt, “proamerikanizmi” dhe “antiamerikanizmi”. Nuk është e nevojshmë të jesh polititolog apo gjitholog për të kuptuar spekulimin dhe abuzimin që liderat “rehatiprishur” shqiptarë po i bëjnë këtyre termave për interesat e tyre imediate personale politike.
Në këtë dritë, të gjithë janë të aftë të kuptojnë se pavarësisht çfarë vjen nga Amerika si mbështetje apo ndalim për liderat politikë, askush në këtë vend nuk mund të vendosë në bazë të ideologjisë së një partie politike që udhëheq, “proamerikanizëm”, rasi i L.B., apo “antiamerikanizëm”, rasti i S.B. Për fatin tonë të mirë, ndjesia jonë si popull në drejtim të Amerikës është një konstante që nuk ndryshon në vite, aq më pak nga tam-tamet e politikanëve të shpëlarë dhe të konsumuar që duan ta përdorin atë. Shqipëria është vendi më pro-amerikan në Botë, përsa kohë ne i kemi besuar asaj të tërë sigurinë e ekzistencës sonë si shtet dhe si komb. Shtoi kësaj dhe faktin që Amerika është shembulli i pandryshuar i prosperitetit, i demokracisë dhe i ruajtjes së lirive dhe të të drejtave të njeriut.
Përpjekjet e liderave humbës për të fituar kapital politik duke përdorur ndjesitë publike ndaj “amerikës” janë hipokrite deri në qesharake. Madje edhe servilizmi me zell të tepruar i pushtetarëve që qeverisin, për ta përdorur “amerikanizmin” në “çimentimin” e pushtetit aktual, nuk u bën atyre aspak, nder,
Nëse do t’i vendosnim një “bisht” shprehjes “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”, me të njejtin kut gjykimi mund të thonim që “amerikanizmi” është streha e parafundit.