Ambaasdorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim u takua mesditën e sotme me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.
Gjatë takimit u bisedua për një sërë çështjesh të politikës në vend por edhe ndërkombëtare.
Kryetarja e Kuvendit, Nikolla bën me dije se ndër çështjet që u prekën kanë të bëjnë me avancimin dhe thellimin e reformave të rëndësishme, jetike për jetën e vendit, fuqizimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; rëndësinë e avancimit të procesit të vetting-ut dhe ndërtimin e një sistemi drejtësie të ndershëm, në shërbim të qytetarëve.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin midis ShBA dhe Shqipërisë në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe NATO-s për dënimin e agresionit ushtarak të Rusisë dhe mbështetjen e Ukrainës; bashkëpunimin dypalësh për rritjen e sigurisë dhe forcimin e paqes në rajon e më gjerë; rritjen e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan, edhe në kuadrin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve; nxitjen dhe mbështetjen e investimeve amerikane në Shqipëri dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh.