Presidenti Ilir Meta ndodhet në Bullgari në kuadër të një vizite zyrtare, ku është takuar me krerët më të lartë të shtetit. Sot, Meta është takuar me kryeministrin e vendit, Kiril Petkov, të cilit siç thotë, i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
“Kënaqësi të zhvilloja një takim të ngrohtë me Kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov. Miqësia e shkëlqyer tradicionale, vizioni dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, janë garanci për marrëdhënie edhe më dinamike midis dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, kulturës, arsimit, zhvillimit infrastrukturor, si dhe rritjes së sigurisë energjetike, në dritën e situatës së re dhe kërcënimeve në rritje.
Mbetet vendimtar, përkushtimi i përbashkët për të çuar përpara projektet shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me Korridorin VIII. I shpreha mirënjohjen për mbështetjen e pakushtëzuar, që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe nxitjen e këtij procesi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Presidenti Ilir Meta.