Nuk hapen Negociatat për BE / Varhelyi me duar bosh në Tiranë.

0
45
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Komisioneri i Bashkimi Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi do të mbërrijë në Tiranë me duart bosh. Vizita e tij më 28 prill nuk pritet të hapë dritën jeshile për nisjen e negociatave më BE-në as në qershorin e ardhshëm. Edhe gjatë takimit me kryeministrin Rama dhe më pas në konferencën e planifikuar për media, ai do të detyrohet të përmendë veton bullgare si shkakun e bllokimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut.

Këtë mesazh Oliver Varhelyi e mori të përsëritur edhe njëherë në turin e tij ballkanik, gjatë ndalesës së fundit në Sofje. Ai u përball aty me pretendimin se përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë është një kusht që duhet përmbushur përpara se të fillojë negociata për anëtarësimin në BE. Këtë qëndrim e ka konfirmuar ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, para fillimit të forumit “BE dhe Ballkani”. Gençovska sqaroi se ky kusht për Maqedoninë është vendosur në deklaratën e parlamentit të vendit të saj dhe në vendimet e Këshillit Konsultativ për Siguri Kombëtare.

“Për të filluar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, mbetet kërkesa që Republika e Maqedonisë së Veriut të regjistrojë bullgarët në Kushtetutën e saj. Në këtë fazë, fillimisht duhet ta zbatojnë dhe më pas të fillojnë negociatat me ta. Nuk e di se çfarë sinjalesh ka dhënë kryeministri (Kiril Petkov), por ky është qëndrimi ynë”, ka thënë ajo.

Ky qëndrim i kryediplomates bullgare, që penalizon indirekt edhe Tiranën po duket se ka shumë pak gjasa të ndryshojë, deri qershorin e ardhshëm kur pritet të mbahet Këshilli Europian. Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi, u shpreh i zhgënjyer me penalizimin që po i bëhet dy vendeve.

“Nëse ke pushtet dhe nuk e përdor, kjo konsiderohet nga të tjerët si kapitullim, dorëzim i pushtetit tënd dhe i kapaciteteve të tua. Çështja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kur do fillojmë procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që jemi ende duke vazhduar të diskutojmë këtë çështje. Ne menduam se e kishim zgjidhur dy vjet më parë dhe tani kjo është sërish në tryezë”, tha ai nga Sofja.

Duke qenë se rrugëtimi i Shqipërisë drejt mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare varet edhe nga vetoja Bullgare kundrejt Shkupit, qeveria Rama po bën përpjekje ende të pasuksesshme për ndarjen e fatit tonë nga Maqedonia. Por një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë shpejt dhe siç u pa edhe nga rezultatat e parafabrikuara që kryeministri nxori nga Këshillimi Kombëtar, këto lëvizje do të fillojnë vetëm nëse vendi ngel në klasë edhe pas dy muajsh./©Lapsi.al

Zjarr Tv Ad