Analisti Mustafa Nano dhe avokatja Migena Balla kanë debatuar sot lidhur me të drejtat e myslimanëve në Shqipëri.
Balla i konsideroi ateistët që kanë ndikim si njerëz të rrezikshëm, ndërsa theksoi se myslimanët janë shumicë në Shqipëri dhe sërish diskriminohen.
Nano e konsideroi frazën “shumicë” si të rrezikshme dhe që nxit dhunë.
DEBATI:
Balla: Në rast se Nano mendon se po përfaqëson një pjesë të publikut që ndihet i dhunuar nga zënia e hapësirës publike, vet z. Nano me myslimanët që fton a i është ankuar dikush për dhunim. Ateist si z.Nano do të doja të ishin të gjithë ateistët. E keqja e botës vjen nga ndikimi që kanë ateistët. Për sa kohë që s’ka pushtet që ateizmin e tij ta implementojë në ligj, është i parrezikshëm.
Nano: Pse ateistët janë gjëja më e rrezikshme?!
Balla: Sepse një njeri që s’ka respekt për Zotin mund të bëjë gjithçka…Ju nuk mund të kufizoni një të drejtë kushtetuese që është ushtrimi i fesë në publik. Komunizmi ka mbaruar. Këtë do të doja ta bënit me njerëz që me paradat e tyre sjellin shkatërrim prone, siç ishte rasti i tifozëve. Në s’jemi ankuar që për Krishtlindje na zaptohet sheshi “Skënderbej”. Nuk jemi të shqetësuar që në mediat urohet Krishtlindja dhe diskriminohen fetë e tjera. U dekorua Tirana për një ndeshje futbolli, për Ditën e Verës, Shën Valentinin, për ne që jemi shumicë…!
Nano: Kjo është frazë e rrezikshme fraza që “jemi shumicë”. Shumica i duhet politikës, jo juve.
Balla: Ligji miratohet me shumicë votash.
Nano: Edhe pakicë po të ishit do respektoheshit njësoj. Myftiu i Shkodrës në një moment tha ne jemi shumicë, këto janë deklarata politike, këto nxisin dhunë.
Balla: Shumica apo pakicë, ka shumë rëndësi. Të kërkosh ndryshime ligjore duhet të jesh shumicë.
Nano: Ligjet bëhen me shumicë politike, dhe nëse shumica parlamentare do të miratojë një ligj, ai është ligj.
Balla: Ai goditet nga një shumicë që përbën opinionin në shoqërinë civile.
Nano: Unë nuk e di nëse jeni shumicë, bën vaki që shumicë jam unë. Por për mua s’ka rëndësi kjo punë. Duhet që si shumicë në bazë të formoni edhe shumicë në Parlament.
Balla: Nuk mund të thoni ju dhe ne. Ne jemi aty dhe jemi shqiptarë. Nuk mund të themi që myslimanët kanë vetëm një parti, nuk funksionon ashtu. Z. Nano unë do të doja që po të ishte aq humanist të shqetësohej për probleme reale. Para disa ditësh është vetëvrarë një grua me ngjyrë nga komuniteti rom, dhe askush nuk foli për të.