Haxhire Gurakuqi, 90-vjeçarja e cila rezulton si pronare e disa kompanive të lidhura me inceneratorët, ka folur në lidhje me mënyrën e përfshirjes së identitetit të saj në aferën e korruptive.
Përmes një interviste të dhënë për Syri Tv, 90-vjeçarja thotë se ka dy vite e gjysmë që jeton në azil, pasi tërmeti i vitit 2019 i prishi banesën.
Ajo shton se një moment kursimet e saj prej 600 mijë lekësh të vjetra në bankë ishin bllokuar dhe në në azil iu paraqitën dy persona që pretendonin se ishin prokuror, të cilët i dhanë një letër për të firmosur në mënyrë që të zhbllokohej llogaria bankare.
Sipas saj ndoshta firmosja e këtij dokumenti dhe marria e të dhënave të pasaportës prej atyre personave ka bërë që kompanitë të hapen në emër të saj.
“Më vijnë dy djem këtu, më thanë jemi të prokurorisë, kemi ardhur për punën e atyre lekëve që të kanë bllokuar. Më dhanë dokumente për të firmosur, i besova se thanë jemi të prokurorisë. Më thanë që do kisha mundësi të merrja paratë e mia.
Drejtori më bëri një shenjë, po unë e kuptova vonë. Ma bëri me dorë, që mos e firmos. Por unë e kisha firmosur. Ishin dy persona. Kam dyshime tani. Marrin pasaportat, japin lekët dhe marrin pasaportat.
E gjitha që më kanë bërë, është mashtrim, hajdutët. Pasi firmosa, as kursimet e mia nuk i mora dot. Zoti të marrë hak, jam në hallin tim”, thotë ajo.
Kujtojmë se në emër të çiftit të të moshuarve Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi, 95 dhe 90 vjeç janë kryer veprime me miliona euro dhe janë faturuar të ardhura nga inceneratorët në vlerën 5 mln euro