Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka investiguar ecurinë e tregut të importit të naftës në vend në 10 vitet e fundit, ku ka rezultuar se megjithëse numri i makinave në përdorim është gati dyfishuar, sasia e karburantit të importuar është ulur. Ai ka publikuar sot në facebook, përgjigjet që i kanë ardhur nga Drejtoria e Transportit Rrugor dhe AKB-ja dhe del në përfundimin se në këtë sektor kemi të bëjmë me një megaskandal të madh.
Postimi i Sulës
Hije skandali me naftën në Shqipëri!
Shqipëria prej kohësh rënditet si një ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në Evropë sepse Ballkanin e kemi lënë pas me kohë. Në mënyrë të vazhdueshme e kam ngritur këtë shqetësim në çdo dritare të mundshme. Së fundmi vendosa të bëj një investigim të thjeshtë më sektorin e karburanteve: si Deputet i Shqipërisë i kërkova informacion Drejtorisë së Transportit Rrugor të më vendoste në dispozicion numrin e automjeteve të regjistruara në Shqipëri nga viti 2011 e deri në vitin 2021. Ndërkohë duke qenë se ne naftën që nxjerr AlbPetrol e eksporton të gjithën jashtë për ta përpunuar, kërkova nga Drejtoria e Doganave të më vendoste në dispozicion sasinë e karburantit të importuar gjithashtu që nga viti 2011.
Gjithashtu kërkova nga AKBN që të më vendosnin në dispozicion sasinë e naftës së nxierrë nga Albpetrol.
- Përgjigjet që më kanë ardhur krijojne një hije të fortë dyshimi për një megaskandal. Në vitin 2011: 410.629 automjete të regjistruara në Shqipëri, ndërkohë sasisa e karburantit të importuar ka qenë 570.441.945 litra ose mbi 570 mijë tonë karburant të importuar.
Në vitin 2012: 394.447 automjete të regjistruara. Ndërkohë sasia e naftës së importuar 539.085.234 litra ose e thënë ndryshe mbi 539 mijë ton karburant të importuar.
Nuk po i marrë me radhë të gjithë vitet sepse janë në këtë dokument sepse i gjeni në tabelat përkatëse më poshtë, por po shkoj tek viti 2021.
- Rezultojnë 740.669 automjete të regjistruara, ndërkohë sasia e karburantit të importuar është 536.025.971 litra ose e thënë ndryshe 536 mijë ton karburant.
Sakaq nga AKBN po paraqes sasinë e naftës bruto të nxjerrë nga burimet shqiptare. Në vitin 2011 Albpetrol nxirrte 835.610 tonë naftë të papërpunuar. Ndërkohë në 2021 rezulton se nga burimet shqiptare është nxjerrë 625.051 tonë karburant. Nëse analizojmë të dhënat e mësipërme mes vitit 2011 dhe vitit 2021 rezultin se numri i automjeteve të regjistruara në Shqipëri në vitin 2021 gati është dyfishuar, ndërsa sasia e naftës së importuar është më e ulët sesa në vitin 2011.
Të dashur qytetar, në analizë nuk kam marrë numrin e zetorëve, apo traktorëve me zinxhirë që përdoren nga kompanitë e ndërtimit e që harxhojnë 10 fish të naftës. Kur në 2021 që kemi thuajse dyfishin e numrit të automjeteve që kishim në vitin 2011, si ka mundësi që importojmë më pak naftë sesa në vitin 2011. Nga e gjejmë ne naftën për të vendosur në lëvizje automjetet? A mos ka hyrë kjo naftë kontrabandë?
Apo mos ndoshta nga puset e naftës në Shqipëri është nxjerrë e njëjta sasi por një pjesë e saj futet në tregun vendas dhe qytetarët blejnë naftë “Ballshi” për naftë importi? A mos kemi të bëjmë sërish me një supër skandal me shmangje nga detyrimet? Unë uroj që prokuroria të ngrihet në lartësinë e detyrës e të marrë në konsiderat e të hetojë këtë rast. Ndërkohë unë personalisht nuk do ta lë më kaq por do ti shkoj deri në fund kësaj çështje. Gjasat janë që të kemi miliona litra naftë të padeklaruara e detyrimisht ka një gropë të madhe të zezë në buxhetin e shtetit.