‘Torturizmi’ rilindas…

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Çdo vit në verë vij në Shqipëri. E marr parasysh udhëtimin e gjatë nga Amerika, lodhjen, shpenzimet. Dua të gjendem mes njerëzve të mi, mes shokëve dhe miqve. Shkoj te varrezat, te prindërit, bëj muhabet të gjatë me ta. Pastaj ca ditë rri me gocën,nipin,mbesën,të afërm e plot të njohur.Ia mbath më vonë nga Vlora deri në Sarandë. Ca ditë se më tepër nuk ia vlen. Stresohesh, acarohesh, grindesh, sëmuresh, tërbohesh e mund të shkosh në djall.

Unë nuk jam si ca të fandaksur që duan partinë mbi Shqipërinë.Këtë as e them, as e mendoj. Por veten e dua, e dua shumë. Se një jetë kam. Do e falja veç për njerëzit e mi, për asgjë tjetër. Kjo Shqipëri nuk është e imja, ma kanë vjedhur e më kërkojnë haraç ata që pandehin se janë pronarë të saj. As 800 mijë banorë nuk ka Tirana e lahemi me orar, se për të pirë ka vite e vite që ujin e blejmë. Krahasoj ajrin me atë të vendeve pranë, jo të atyre të zhvilluara. Del që është 4 herë mbi normat e lejuara.

Shoh grafikët e  zhurmave, shigjeta në Shqipëri po i drejtohet hënës. Kryeqyteti ynë si një kapanon i madh ku prodhon sëmundje dhe tret njerëz. Plazhet pa energji elektrike, ose me voltazh aq të dobët sa që frigoriferi nuk ngrin gjë dhe kondicionieri xhiron kot, vërtit e vërtit ajrin e nxehtë. Derdhen në bregdet mutrat e gjysmës së kombit. Ia kanë mbathur edhe peshqit, e shumta gjen në breg ndonjë breshkë të ngordhur.

Rrugët copë e gropë, baypasset u transformuan në qendra fshatrash e qytetesh ku ka veç qenër se njerëzit kanë marrë arratinë. Shyqyr diellit, hë për hë nuk i kanë menduar ndonjë rreng. Në këto kushte unë i përmallur për vendin, por i gjendur në grackën e tij, i thërras mendjes dhe iki me vrap kudo, veç Shqipëri mos quhet. Shkoj në Itali e pushoj si njeri, vete në Greqi e ndjej që zemra më zbutet, shpirti më qetohet.

Shkoj në Mal të Zi e gjej rehati, arrij në Maqedoni e nxehem që as si ky vend nuk u bë Shqipëria ime. Unë si kushdo e dua veten, e dua shumë. Nuk më shkon ta them që e dua më shumë se vendin tim. Por kështu më del, se Shqipëria e ca njerëzve nuk na do ne shqiptarët. Na përbuz e na largon,nuk na ofron gjë. Ndaj unë iki e si Bajroni i këndoj këtij largimi, nxjerr dufin, trishtimin, inatin, por nuk qëndroj. Iki, iki larg, shumë larg “torturizmit” rilindas.

Zjarr Tv Ad