Nga selia e PD, N/kryetari Oerd Bylykbashi, sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore Ivi Kaso, sekretari për Pushtetin Vendor Ylli Asllani, zhvilluan një konferencë të përbashkët për media në lidhje me Reformën Territoriale. Gjatë fjalës së tij Bylykbashi u shpreh se Reforma Territoriale, duhet të jetë një reformë e bazuar në parime dhe jo pazare.
“Është ngritur forumi i të zgjedhurve vendorë të PD ku do të mblidhet eksperienca vendore e të të gjithë të zgjedhurve ndër vite. Qëndrimi ynë i kryetarit është i qartë për të bërë një diferencë. Reforma territoriale duhet të shfrytëzohet dhe nuk duhet të humbet momenti sepse diçka e bërë keq do të merrte një kohë të gjatë.
Propozimi ynë në kuadër të punës që po bëhet, do e bazojmë tek studime dhe propozime të mirëmenduara dhe të financuar nga partnerë ndërkombëtarë. Ne kemi kapacitetet më të mira për të ofruar një reformë cilësore. Rreth 9 muaj nga tani do të kemi edhe zgjedhjet, theksoj se reforma duhet të jetë konsensuale dhe jo si e 2014 dhe pa konsensus. Konsensusi i bazuar mbi parime dhe jo pazare do të sjellë një reformë që qeverisja vendore të zhvillohet në mënyrë harmonike”, tha Bylykbashi.