Ish-Ministri i Jashtëm i vendit, deputeti demokrat Tritan Shehu, e ka cilësuar sot si turp historik, refuzimin nga Kuvendi, nga mashoranca socialiste më saktë, të futjes në rendin e ditës së seancës së fundit të Kuvendit nesër, të Rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
Postimi i tij:
“Maxhoranca nuk guxon të dënojë e as të njohë, gjenocidin serb në Kosovë!”
Mbas një odiseje të gjatë, shkeljeve të rënda të Rregullores së Kuvendit, akrobacive për të fshehur mungesën e vullnetit politik, Rama, nëpërmjet mekanizmave parlamentare nuk fut në rend të ditës, rezolutën tonë as nesër në seancën e fundit të kësaj periudhe. Bëhet fjalë për “Rezolutën për njohjen e dënimin e gjenocidit serb në Kosovë” në vitet ’98 – ‘99.
Kjo Rilindje, për turpin e saj e të Kuvendit të Shqipërisë, nuk guxon të pranojë një fakt të tillë historik, ashtu si veproi edhe me Rezolutën për Srebrenicën, ku në asnjë rresht nuk dënohet ai gjenocid dhe krimet i ngarkohen vetëm serbo-boshnjakëve, duke tentuar kështu të shpëlajë Beogradin. Çdo gjë po bëhet në përputhje me atë çfarë ka kërkuar Vuçiç pak kohë më parë nga parlamentet e “vendeve mike”, mosnjohjen e gjenocideve serbe në rajon.
“Shkopi” i tij qenka vendimtar për Rama & Co.
Ndërsa futja nga maxhoranca e një rezolute kundër Raportit të Dick Marty – një shpifje monstruoze ai raport, është thjesht një manovër për të maskuar mosnjohjen e denimin e genocidit serb në Kosovë. E gjithë ajo gënjeshtër e organeve është ngritur për të njollosur UÇK-në, luftën çlirimtare të Kosovës dhe për të hequr vëmendjen nga gjenocidi serb aty, për të zbehur ato krime millosheviçiane, që detyruan NATO-n të ndërhyjë me forcë.
Pra, së pari duhet njohur e dënuar genocidi serb, ashtu si dhe Qeveria shqiptare duhet të asistojë Qeverine e Kosovës në paraqitjen e fakteve të atij gjenocidi pranë gjykatave e institucioneve ndërkombëtare, gjë që Prishtina nuk mund ta realizojë se nuk është anëtare e OKB-së. Kjo do t’i hapte rrugë, çmontimit edhe të të gjitha gënjeshtrave të ngritura ndaj UÇK-së siç është dhe ai raport.
Pikërisht këto kërkon dhe rezoluta jonë, që kjo maxhorancë nën presionin e Vuçiç nuk guxon as ta paraqesë në seancë plenare, siç e do morali, e drejta, stabiliteti i rajonit, dhe rregullorja e Kuvendit. Një turp historik ky për të gjithë ne, që vërteton vasalitetin e plotë të Ramës ndaj Vuçiç.