Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka njoftuar se duke filluar nga dita e sotmë deri në datën 3 gusht, portal U-Albania do të jetë i hapur për të gjithë maturantët të cilët duan të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kushi thekson se studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale.
Gjithashtu nisur dhe nga marrëveshja e fundit që vendi ynë ka nënshkruar me Kosovën maturantët nga Kosova mund të aplikojnë dhe në vendin tonë me të drejta të barabarta njësoj si studentët në Shqipëri.
Postimi i plotë:
Të dashur maturantë,
Ja ku erdhi momenti që ju të merrni vendimin final për programin ku do të vijoni studimet e larta.
Duke filluar nga sot e deri në datën 3 gusht, portali U-Albania do të jetë i hapur për ju që të bëni aplikimet.
Ju sugjeroj që të mbështeteni në prirjet dhe pasionet tuaja, por gjithashtu të konsultoheni edhe një herë me mësuesit dhe prindërit, në mënyrë që të bëni zgjedhjen e duhur dhe të rrisni më shumë mundësitë për të fituar programin më të përshtatshëm për ju.
Gjithashtu, nisur nga marrëveshja e fundit që kemi nënshkruar me Kosovën, dëshiroj të ftoj edhe të rinjtë dhe të rejat nga Kosova që të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në universitetet tona, me të drejta të barabarta njësoj si studentët në Shqipëri.
Ju uroj të gjithëve shumë suksese!