Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku teksa ka komentuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës thotë se këto ngjarje tregojnë edhe një herë qasjen problematike që ka Serbia ndaj Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, veprimi i qeverisë së Kosovës për të shtyrë për 30 ditë reciprocitetin është një akt pozitiv “jo vetëm se është i mbështetur nga aleatët tanë strategjikë si SHBA dhe BE por sepse është një veprim i mbështetur gjerësisht nga politika në Kosovë”. Duke u shprehur se shqiptarët sot i kanë sytë dhe zemrën në Kosovë, deputetja e PD thekson se “parlamenti shqiptar dhe qeveria nuk mund të mjaftohet vetëm me rezoluta por duhet të jetë aty pranë qeverisë së Kosovës në çdo moment”.
Reagimi i Tabakut
Shqiptarët sot i kanë sytë dhe zemrat e tyre nga Kosova! Ngjarjet e djeshme në Kosovë tregojnë edhe një herë qasjen problematike që ka Serbia ndaj Ballkanit Perëndimor. Prej vitit 2008 Kosova mbetet një realitet që nuk mund të ndryshohet ndaj çdo përpjekje që përpiqet të zhbëjë këtë realitet provokon vetëm trazira. Veprimi i qeverisë së Kosovës për të shtyrë për 30 ditë reciprocitetin është një akt pozitiv jo vetëm se është i mbështetur nga aleatët tanë strategjikë si SHBA dhe BE por sepse është një veprim i mbështetur gjerësisht nga politika në Kosovë.
Nga ana tjetër e gjej të domosdoshme të kërkoj vëmendjen e parlamentit shqiptar dhe mbi të gjitha qeverisë duke i kujtuar që nuk mund të mjaftohet vetëm me rezoluta por duhet të jetë aty pranë qeverisë së Kosovës në çdo moment. Në këto kohë të turbullta gjuha e urrejtjes dhe gjuha e papranueshme nuk mund t’i shërbejë qetësisë dhe bashkëjetesës në Ballkanin Perëndimor. Shqiptarët sot i kanë sytë dhe zemrat e tyre nga Kosova!
Burimi: Postimi në Facebook i Tabakut.