Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në fjalën e tij, Kurti ka folur për vendimin për reciprocitet për dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve. Ai ka thënë se ky vendim do të shtyhet për 1 shtator në momentin që largohen barrikadat, duke marrë parasysh kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, SHBA-së dhe BE-së.
Unë kam qenë edhe mbrëmë në kontakt me partnerët evropian dhe SHBA-së”, ka thënë Kurti.
Ai ka falënderuar edhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për të cilin Kurti ka thënë se ka kontribuar në zbutjen e gjendjes, gjithmonë duke mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe vendimet e saj. Më tej, Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë informimin e qytetarëve rreth ndërrimit të targave ilegale të automjeteve dhe pajisjes me targa RKS, pa paguar doganë dhe akcizë.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që zbatimi i këtyre vendimeve të shtyhet për 1 shtator, menjëherë pasi të hiqen barrikadat dhe të mundësohet lëvizja e lirë në veriun e Kosovës. Falënderoj qytetarët për durimin, qetësinë dhe përkrahjen. Ne do të kujdesemi që të mbizotërojë ligji dhe paqja. I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, BE-së e NATO-s, që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale të cilat qartazi janë të nxitura e financuara nga qarqet në Serbi”, ka thënë Kurti.