Pas mbylljes me sukses të LIGËS UNIKE, pjesëmarrjes me 6 ekipe kombëtare në kompeticionet europiane të moshave, koshi shqiptar arriti të ngrejë lart emrin e Shqipërisë duke arritur rezultate brilante me Kombëtaren U16 dhe U18, për djem dhe vajza.
Në San Marino, ekipi kombëtar U18 mundi në finale Monacon duke marrë për herë të parë titullin kampion dhe duke i sjellë Shqipërisë medaljen e artë.
Në një mini-shtet tjetër, në Andorra, Kombëtarja U18 e Vajzave, arriti të rrëmbejë medaljen e broxit në Kampionatin Europian.
Për të kremtuar këto arritje, ditën e sotme, në ambjentet e Akademisë Sportive “Goga Basket”, Federata Shqiptare e Basketbollit dhe Presidenti i saj z. Avni Ponari organizuan një pritje për të nderuar dhe vlerësuar punën e lojtarëve, trajnerëve dhe stafeve drejtuese.
Ponari u ndal edhe tek ndryshimet që duhen bërë në legjislacion, si e vetmja mënyrë për ti dhënë hov sportit.
Sipas z. Ponari, baza është një ligj që rregullon të gjitha palët dhe nxjerr në pah menaxherët e zotë dhe ky është “Ligji për Sponsorizimet”.
Nuk mund të ketë Sport cilësor pa patur mbështetje financiare, shprehet z. Ponari.