Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte sot në një vizitë për ngushëllim në familjen Avdia në Tiranë, e cila humbi vajzën 7-vjeçare në plazhin e Potamit, pasi një skaf që drejtohej nga komisari i policisë, Arjan Tase e përplasi për vdekje. Në një prononcim për gazetarët, ish-Presidenti bëri përgjegjës shtetin për papërgjegjshmëri, ndërsa theksoi se ajo është një vrasje e paralajmëruar.
Sipas Metës, ngjarja mund te ishte parandaluar, pasi ka nje legjislacion për sigurinë në plazhe, i cili nuk është respektuar në elementë të tij.
“Tepër tronditëse për cdo familje dhe cdo prind, aq më tepër për familjen Avdia, për babain që e përjetoi atë tmerr aq pranë, për vëllain e vogël, për të gjithë, për gjyshin, i cili mezi e kishte pritur mbesën që ajo e kishte përmirësuar gjuhën shqipe. Është një rast i pangushëllueshëm. Jam i impresionuar nga forca dhe karakteri i kësaj familje. Ishte një tragjedi që nuk ka justifikim nga askush. Jo vetëm nga autori i papërgjegjshëm, por edhe nga shteti, qeveria dhe bashkia, pasi ekziston një legjislacion për sigurinë në plazhe, i cili nuk është respektuar në elementë të tij.
Është një vrasje e paralajmëruar sepse kanë ndodhur raste të tilla edhe më parë. Para pak kohësh kanë ndodhur plagosje që për fat të mirë pa pasoja në vdekje dhe askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Një papërgjegjshmëri totale. Në një moment duhet të shfaqet pendesa, por edhe marrja e vendimeve të qarta, në të njëjtën moment na shpallet se Shqipëria qenë sivijet e para në rajon sa i takon sigurisë në plazhe dhe turizmit. Nuk ka tallje dhe fyerje më të madhe për popullin shqiptar”, theksoi ish-Presidenti Meta.
I pyetur nëse do t’i bashkohej protestës së sotme të njoftuar nga shoqëria civile,ai u shpreh se do të marrë pjesë dhe qytetarët duhet të marrin pjesë si për të shprehur solidaritetin me familjen e vogëlushes, ashtu dhe për të parandaluar që ngjarje të tilla të përsëriten.
“Çdo qytetar duhet t’i bashkohet kësaj proteste, për të shprehur solidaritetin me këtë familje por dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në ë ardhmen. Nuk është e para që ndodh për shkak të papërgjegjshmërisë së shtetit. Minimumi të gjithë ministrat përgjegjës për zbatimin e qeverisë duhet të kishin dhënë dorëheqjen ose të ishin shkarkuar nga kryeministri, bashkë me kryetarin e bashkisë ku ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë.”