Kreu i SPAK, Arben Kraja ka folur edhe për kritikat që i janë bërë SPAK-ut nga politika. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i pyetur nëse ai ndihet nën trysni pas deklaratave të Ramës, se po godet vetëm nga e majta, Kraja u shpreh se SPAK vepron në bazë të provave, ndërsa partitë- tha ai -flasin sipas interesit.
I pyetur se çfarë është duke bërë SPAK për Sali Berishën, i cili është shpallur non grata për korrupsion nga SHBA, Kraja tha se “Çështje penale SPAK ka shumë në hetim dhe ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund dhe për ti vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale.”
Pjesë nga intervista
Pyetje: Ndaj Berishës janë vendosur sanksione për korrupsion, duket sikur perëndimi po bën më shumë sesa autoritetet shqiptare, cila është përgjegjësia e SPAK, çfarë do të bëni ju pas këtij momenti, do të ketë një hetim mbi këtë çështje?
Arben Kraja: Problemi i korrupsionit në Shqipëri, por edhe në Ballkan është shqetësues. Është mungesa e ndëshkueshmëriusë së zyrtarëve të lartë. Për këtë në Shqipëri është bërë një reformë, kemi dy vite që punojnë për arritjen e rezultateve konkrete. Ne bashkëpunojmë me homologët për të luftuar këtë fenomen. Çështje penale SPAK ka shumë ne hetim dhe ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund dhe për ti vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale.
Pyetje: Ka kritika ndaj SPAK se nuk po veprohet ndaj zyrtarëve të lartë, ndërkohë kryeministri thotë se ju po godisni vetëm majtas, a ju vë kjo përballë një trysnie?
Arben Kraja: Ne veprojmë bazuar në ligje, opinioni publik dhe partitë kanë të drejtën të shprehen dhe secili e shpreh sipas interesit të tij. Problemi është që ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm, ne nuk veprojmë sipas një listë, por veprojmë në bazë të provave që administrohen nga hetimi. Kur provohet fajësia marrim masa për gjykim. Ajo që kemi rënë dakord të gjithë është që të rrimë sa më larg këtyre opinioneve politike. Secili prej prokuroreve ka dosjet para dhe është i pavarur.