GELANDA SHKURTAJ
MORALI PËRBALLË SË DREJTËS
Është i hershëm sa njerëzimi fakti se, çdo shoqëri ka një moral të caktuar, edhe pse vështirë është të gjesh një kuptim të njëmendtë mbi moralin. Përtej përkufizimit filozofik, ai supozohet si një grup rregullash, me të cilat udhëhiqet në jetën e përditshme një komunitet i caktuar. Këto rregulla mund të jenë sjellje, të menduari apo gjykuari, të cilat me kalimin e kohës konsolidohen në përditshmërinë e ndërveprimit në komunitet. Të dy këto elementë, morali dhe e drejta, shoqëria njerëzore i ka pjesë të ligjit, njëri në pjesën e perceptimit e tjetra në pjesën e sanksionit. Duke anashkaluar debatin nëse këto norma lindën përpara feve monoteiste, apo më pas ligjet e një shoqërie mbrojnë parimet morale që ajo i konsideron si të drejta. Kështu parimet universale “të mos vrasësh”, “të mos vjedhësh”, “të mos flasësh keq” në shoqëritë moderne gjenden ose në librat e shenjtë ose në kodet penale.
Ndryshimi i të parëve nga të dytët qëndron në faktin se librat e shenjtë nuk kanë masa ndëshkimi të drejtpërdrejta në këtë anë të jetës, por kanë sipas Dantes parajsën, ferrin apo purgatorin, ndërkohë të dytët ndëshkojnë kësaj bote, sa herë individi apo shoqëria rreket t’i shkelë ato. Të parat ngjizen në kujtesën e komunitetit dhe mbarten me fanatizëm dhe forcë zakoni. Të dytat varen nga shkalla e civilizimit të komunitetit dhe raportit që individi ka midis moralit dhe së drejtës. Nga këtu, nëse ligjet shkelen, shkelen edhe morali dhe parimet e së drejtës. E akoma më tej, nëse një sistem drejtësie nuk funksionon do të thotë që ajo shoqëri është në një anarki të plotë e mbi të gjitha në një krizë morale me veten e saj.
Ka disa vite kësaj ane, që diskutohet fortë në lidhje me një reformim të drejtësisë në Shqipëri, ku një mekanizëm “deux ex machina” po vë në funksionim ingranazhet e një shteti të ndryshkur përpara mosdrejtësisë. Përse në Shqipëri është i pamundur vullneti shoqëror për të vendosur një sistem drejtësie, por me lehtësi i delegohet klasës politike? Duke ditur faktin që kjo e fundit është lëndë e parë e mendësisë së vetë komunitetit, problemi qëndron kund tjetër, në krizën e fortë midis moralit dhe së drejtës që ka shoqëria shqiptare. Duhet pranuar fakti se gjykimi është bërë kaq kaotik, sa nuk ka një bosht moral në atë çfarë ajo kundërshton apo pranon si të drejtë. Aq e fortë është kjo krizë sa nuk është e pavend pyetja: vërtet e duan drejtësinë në Shqipëri? Nëse po, cili është koncepti i së drejtës për shqiptarët? Raporti i moralit me të drejtën nis minimalisht nga ajo që quhet ndërgjegje qytetare.
CILA ËSHTË NDËRGJEGJJA QYTETARE?
Kanë kaluar disa dekada pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe panorama politike sheh ekzaktësisht të njëjtat probleme të qeverisjes, të arrogancës dhe të korrupsionit. E vetmja gjë në ndryshim janë masat që i ndjekin, diku për një faktor demografik e diku tjetër për një rrotacion servilizmi. Parimet që udhëheqin klasat drejtuese janë të njëjta: nepotizmi, mashtrimi dhe “shpëlarja” e trurit, askush nuk pyet për moralin, sepse edhe vetë masat e kanë humbur atë, ato nuk dinë çfarë duan. Cilin parim të së drejtës mbrojnë ato masa që ulërijnë, çirren, qajnë e ndonjëherë shkojnë në ekstazë emocionale për grupim politik, që ka vjedhur e mashtron?
Protagonistë dhe dashës të kësaj katrahure janë vetë ata, të cilët gjithë diferencën midis së drejtës dhe të së padrejtës e shohin te ndryshimi i karrigeve dhe jo te parimet e së drejtës dhe të moralit që duhet të ketë një komunitet dhe që organizmi politik lypset t’i përshtatet. A besohet se drejtësia do të funksionojë vetëm duke ndryshuar aktorët dhe jo parimet? Pa dyshim që jo, e megjithatë një kundërshtar politik mund të kundërargumentojë me shumë baza pse një qeverisje nuk shkon mirë, por sapo merr pushtetin bën të njëjtën gjë të cilën ka kritikuar më parë. Teatrot e klithmave dhe përbetimeve janë pjesë e aktrimeve politikë, të cilat ndiqen me ngadhënjim nga ata që nuk kanë gjykim dhe ata që iu duhen prapë xhepat plot pa u lodhur. Për cilën drejtësi dhe parim moral luftojnë? Ato të barabarta me kundërshtarin po me kah të kundërt?
Po ashtu, shpërfaqet ndërgjegjja qytetare në lidhje me kulturën civile në Shqipëri. Edhe këtu parimi mbetet i njëjtë. Asnjëherë ndërgjegjja qytetare nuk niset nga vetja, por nga tjetri. Moralizmi është tejet bindës në kritikë, por kur situata duhet të kthehet në autokritikë, kjo është një peshë, e cila vështirë, për të mos thënë e pamundur, të mbartet në kulturën tonë sociale. Vetëm shahet dhe bërtitet, të gjithë kundër të gjithëve, por askush nuk lufton për një princip në atë që kërkon. Cilin parim të moralit mbrojnë ato masa që shohin me orë pafund paçavure televizive, që nisin nga sharjet e përfundojnë te dhuna? Cilin parim të moralit mbrojnë ato masa që idhujt e tyre i kanë krijuar nga muskujt, vithet dhe buzët e që duan t’i imitojnë për t’u pasuruar në kohë rekord?
Dikush me të drejtë do thoshte se në Shqipëri antipodet jetë-vdekje janë bërë bashkë, për aq sa askush nuk klithë në jetë për të parandaluar vdekjen. Kjo e fundit ngrihet në piedestal dhimbje për dy ditë, e më pas të gjithë presin lajmin e radhës, kontingjentet janë plotë ngado të hedhësh sytë. Mjafton të drejtosh një makinë e të kërkosh bekimin e Papës, të mos ndodhesh në vendin e gabuar në kohën e gabuar, se vdekja është aty, mballomat e kuajve dhe sytë magjike nuk shpëtojnë asgjë. Paraja e padjersitur që i bën karshillëk barkut bosh, është investuar në makina dhe jahte luksoze që voziten nga djem baballarësh me pushtet politik, të cilët ndërhyjnë te policia për të mos tërhequr patentat e fëmijëve të stresuar nga përkëdhelja dhe rehati. Masat aty janë dhe shohin, asgjë nuk bëjnë sepse janë të ekzaltuar nga jahti i ‘X’, ose makina e ‘Y’, ose shoqja me të cilën bën një xhiro me motorë uji, e mbuluar vetëm me gjalmë në trupin gdhendur me mjeshtëri nga doktori ‘Z’, e cila mund të jetë apo imiton idhullin televiziv të radhës.
Por kur ndodh ajo, gjëma, aty fillon gjithë kronika e vdekjes së paralajmëruar, a thua se duan më shumë vdekjen se jetën (!), motorët e ndërgjegjes ndizen në kulm, ulërin dhe indinjohet për vlera humane shoqëria hipokrite dhe frikacake, e cila i kërkon edhe llogari zotit pse nuk ishte. E megjithatë, edhe këtu prapë shoqëria shqiptare ka një valvul çliruese për kobin, pasi ajo edhe vdekjen e sheh politike. Po, po, në Shqipëri ka vdekje të majta dhe të djathta, ose ato që shkakton e majta ose ato që shkakton e djathta. Perëndi…, në këtë vend edhe vdekja manipulohet politikisht, sepse një popull që në thelb ka mbetur pagan, nuk ka forcë që t’i hapë mendjen e të shohë se një engjëll iku nga kjo botë sepse çdo vdekje është e padrejtë, por që të tillë nuk e pranojnë ndofta vetëm ata që lumnisht besojnë në bibël a kuran.
CILA ËSHTË NDËRGJEGJJA E KLASËS POLITIKE?
Kjo është pasqyra më evidente e ndërgjegjes qytetare që e ka zgjedhur dhe e mban në këmbë, nuk do të mund të ishte ndryshe (!). Megjithatë, a do dalë vallë një burrë shteti në këtë komb, që me kokën ulur e me dorën në zemër të thotë vetëm një herë “më falni”!?. Politika mbetet po ajo sojzës e majtë apo e djathtë, që në ditët e mortit nuk kërkon kurrë falje nga Gërdeci në Himarë, por me arrogancë përpiqet të mbrojë erzin dhe mbulojë turpin me mburrje e mendjemadhësi. Nuk ka një mendje të shëndoshë të besojë se vrasja e një fëmije është politike, por nuk ka asnjë moral që të justifikojë kryeneçësinë, mospërgjunien përpara dhimbjes, të kërkuarit falje edhe vetëm për neglizhencën e strukturave të shtetit. E njëjta skenë tash e tridhjetë vjet, janë vrarë në veri e në jug, në qeveri të majta e të djathta e prapë morali i mbrapshtë nuk njeh asnjë “më fal”.
Në vendin pa moral politik edhe vdekja trazohet deri në shpërfytyrim duke përdorur marioneta gazetarësh që pa bosht po aq moral dhe njerëzor justifikojnë vrasjen “socialiste” apo “demokrate”. Sa turp! Ka pas ky vend një kod moral e juridik, e ka edhe sot, quhet Kanun, por edhe këtë e përdorim për të justifikuar vrasjet e pafe’ që bëhen çdo ditë, jo për burrërinë dhe nderin si shtylla morale që mbajtën në këmbë një shoqëri pa shtet, por që ndofta politikanët e kanë harruar sa edhe vetë zotin. Ndërgjegjja e klasës politike njeh vetëm paranë si lajtmotiv dhe përdorimin e çdo gjëje për interesa pushteti, e kur volitet edhe vdekjen qoftë për ta ngushëlluar apo qoftë për ta mallkuar.
Rrethi i mbyllur i fajit është si “qeni që ha bishtin e vet”, një proverb ky për të thënë se nuk ka ecje përpara ajo shoqëri e për më tepër dëshirë për ndryshim, kur vërtitet kot rreth vetes së saj. Një shoqëri, e cila mbështet një kastë politike si instrumentin më të favorshëm për të kënaqur interesat personale, është po aq e pamoralshme dhe nuk ka as principe, as botëkuptim të drejtësisë e aq më pak dhimbje për një jetë të humbur. Një shoqëri, e cila mbështet një kastë politike e kujtdo krahu qoftë dhe problemin nuk e sheh te vetja, por bën çdo përpjekje për ta larguar përgjegjësinë dhe fajin, ka në disfavor faktorin kohë. Shoqëritë evoluojnë si edhe vetë jeta, por “qeni që ha bishtin e vet” mbetet po aty në vendnumëro dhe më shumë se të lehë e të kuisë, gjë tjetër nuk bën!