Një jetë në dramë që përfundoi me një dramë dhe më të madhe. Fatos Çollaku nuk mund të mbijetonte, nuk mundi të shtynte dot më ditët në mjerim. I dha fund jetës aty te pema në oborrin e shtëpisë së tij, pa shpresë. Ngjarja ka tronditur këdo, e më së shumti bashkëfshatarët e tij në fshatin Rrajcë të Përrenjasit që me lot në sy tregojnë për Fatosin e mirë, të urtë që shikonte punën e tij.
-Fatosi ishte një djalë që nuk prishte qejf me askënd. Nuk ishte problematik shihte drejtimin e tij. Kush e merrte në punë shkonte punonte. Por e vuri përpara varfëria dhe arriti në një pikë që ndodhi kjo që ndodhë. Sot në varrim ka marrë pjesë i gjithë fshati. Ka një motër dhe ajo tashmë është e vetme. Asaj duhet ti lidhet një kemp nëse ky shtet funksionon normalisht.
“Fatosi nuk kishte probleme të shëndetit mendor. Jemi rritur me të edhe e dimë se si ishte. Fatosi punonte në fshat, jo përditë por fshati e donte shumë. Para 10 ditësh i hoqën ujin sepse nuk e kishte paguar. Kjo i shtoi stresin. Pavarësisht se uji u rilidh Fatosi u stresua shumë. Ndihma ekonomike që merrnin ishte 30 mijë lekë të vjetra. Bashkia duhet të bëjë përpjekje që të lidhet kemp për motrën e tij, por duhet gjetur një mënyrë që të ketë një dhomë e një tualet,”u shpreh një prej banorëve.
Ndërkohë për News24 është prononcuar edhe personi që ka gjetur i pari trupin e 48-vjeçarit.
“Djalë më të mirë nuk e bënte nëna, pa probleme, që shihte punën e tij, punëtor që nuk zhgënjente kurrë. Ishte hamall. Varfëria ekstreme e çoi deri në këtë pikë. Herën e fundit e pash në orën 08: 00 të darkës. në mëngjes në 06:00 kur dola tu shtija bagëtive, e pash. Nuk kisha forcë as ta shihja në fytyrë, nuk kisha zemër që ta identifikoja kush ishte. Do qajnë dhe degët për të”, u shpreh ai.
Burimi: News24